Fajon: Demokracia dhe liria e mediave në Serbi seriozisht janë të cenuar

Serbia aktualisht gjendet në situatë të rëndë rreth zgjedhjeve të përgjithshme dhe në një lloj krize politike, ka vlerësuar deputetja e Parlamentit Evropian Tanja Fajon dhe ka shprehur brengosje për shkak të zvogëlimit të pragut zgjedhor nga pesë në tre për qind pa konsensus të gjerë politik dhe pa debat publik.

Fajon: Demokracia dhe liria e mediave në Serbi seriozisht janë të cenuar

Ajo në një tekst autorial për revistën serbe NIN ka pretenduar se në Bashkimin Evropian si brengë kryesore mbesin mediat.

Fajon, e cila është shefe e Delegacionit në Këshillin Parlamentar për Stabilizim dhe Asocijim të BE dhe Serbisë, tregon se janë fakte që demokracia dhe liria e mediave seriozisht janë të cenuar në Serbi, sepse kanalet kombëtare nuk i trajtojnë të gjitha partitë politike në mënyrë të barabartë, gjë që është e papranueshme.

“Gjuha e urrejtjes, manipulimet, frikësimet, madje edhe nga ana e politikanëve më të lartë dhe më me ndikim, po rritet në medie dhe në publik në këtë vend, dhe kjo është diçka që ne në BE nuk duam të shohim”, ka shkruar ajo.

Fajon ka theksuar se partitë në pushtet duhet të zbatojnë rekomandimet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme sivjet, si dhe se pret që autoritetet do t’i zbatojnë marrëveshjet dhe të balancojnë raportimet gjatë fushatës parazgjedhore.

“Më vjen keq që tani edhe pjesa e mbetur e opozitës ka paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve, dhe jam e brengosur për shkak të paralajmërimit të ndryshimit të pragut zgjedhor prej pesë në tre për qind pa konsensus të gjerë politik dhe pa debat publik”, ka theksuar ajo.

Fajon ka pretenduar se Serbia është një vend i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe se roli i saj është i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Dëshira ime në këtë moment është që Serbia t’i realizojë rezultatet e prekshme dhe t’i afrohet BE-së, si dhe që sa më shpejtë të bëhet pjesë e familjes së BE, dhe këtë do ta arrijë vetëm nëse i zbaton reformat pozitive”, ka vlerësuar ajo./Insajderi.com.