Fajon: Nuk ka më arsye për justifikime apo vonesa për liberalizimin e vizave

Fajon: Nuk ka më arsye për justifikime apo vonesa për liberalizimin e vizave

Raportuesja për liberalizimin e vizave pë Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon ka shpjeguar  hapat e mëtejshëm, pas dritës së gjelbër të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave.

Ajo ka thënë se beson se deri në fund të mandatit të saj në Parlament Europian do të ndodhë edhe vendimi i liberalizimit të vizave, transmeton Klan Kosova.

Në një prononcim të dhënë për Deutsche Welle, ajo thotë se nuk ka më justifikime apo vonesa, nëse ndodhë një gjë e tillë deri atëherë sipas saj fitues do të jenë të gjithë.

Sipas Fajon, ajo do ta japë për votim vendimin menjëherë pas pushimeve të verës në Komunitetin e Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë dhe të Brendshme.

‘’Në javën e fundit të gushtit, unë pres që kolegët të ndjekin rekomandimin tim. Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe çdo hap është i rëndësishëm. Nëse gjithçka zhvillohet siç është planifikuar, ne do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator. Kjo është ajo që dëshiroj e synoj. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, veçanërisht të rinjtë meritojnë perspektiva më të mira’’.

Ndër të tjera Fajon thotë se është në duart e Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve të BE për ta pranuar rekomandimin e dhënë ndërsa Komisioni Europian ka vlerësuar përpjekjet e institucioneve të Kosovës.

Gjithësesi që raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon pret që qeveritë e vendeve anëtare të BE-së të reagojnë me përgjegjshmëri.

Ndër të tjera ajo këshillon palën kosovare të vazhdojë dialogun me Brukselin dhe kryeqytetet e BE për të marrë mbështetje të fuqishme dhe besimin e tyre sa i përket vendimit final për liberalizmin e vizave.

‘’Ky është çelësi për suksesin. Kosova nevojitet të ruajë kredibilitetin dhe të ndërtojë aleanca të fuqishme me vendet e BE dhe institucionet e saj’’.

Zgjedhjet në Parlamentin Europian mbahen prej 23 deri më 26 maj 2019.