Fakt tjetër që dëshmon se Vjosa Osmanin nuk e pyet askush nga shefat e LDK-së

Fakt tjetër që dëshmon se Vjosa Osmanin nuk e pyet askush nga shefat e LDK-së

Çdo ditë është duke u dëshmuar që zëri i nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmanit nuk është duke dëgjohet nga shefat e saj.

Kjo po dëshmohet me deklaratat dhe me reagimet e fundit, të LDK-së dhe të saj, shkruan Gazeta Insajderi.

Gjatë ditës së sotme Osmani kishte dal me një deklaratë ku thoshte se LDK-ja do ta shqyrtojë ofertën e Vetëvendosjes.

“Është në vullnetin dhe ndërgjegjen e secilit. Besoj që në ditët në vazhdim do të mblidhen edhe organet e partisë të cilat e kanë për detyrë që të merren me tema të tilla. Sot do të diskutojmë lidhur me kohën se kur do të thirret Këshilli dhe besoj që shumë shpejt sepse nuk ka kohë më. Nuk ka sot mbledhje Kryesia. Unë kam deklaruar dje që për propozimet e tilla vendos Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së dhe do të diskutojmë lidhur me rimandatimin e ekipit tonë për të vazhduar negociata dhe përparimet qe do të vazhdojnë në ato negociata dhe ata anëtarët e Këshillit do të diskutojnë mirëpo unë nuk do të paragjykoj sepse secili prej tyre ka mandat”, ka thënë sot Osmani për media.

Por tjetër qëndrim ka pas partia e saj. Ata sot i kanë bërë një propozim VV-së, me ç’rast kanë kërkuar që kryeparlamentari t’ju takojë atyre derisa të zgjidhet presidenti.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës)”, thuhet në propozimin e LDK-së.

Ndërkohë që edhe gjatë ditë së djeshme Osmani ka pasur deklarata kundërthënse me bashkëpartiakun e saj, Agim Veliun.

Derisa, Veliu e quajti ofertën e VV-së jo serioze, bashkë partiakja e tij ka dal me deklaratë të kundër. Sipas Osmanit, kjo ofertë po vlerësohet si serioze.

Osmani ka thënë se çdo propozim i cili vjen duhet të trajtohet me kujdes.

“Nuk mund ta komentoj ofertën dhe detajet e saj sepse ashtu jemi dakorduar në takimet tona të fundit. Por, në parim, çdo përpjekje që qon drejt përafrimit të qëndrimeve, duhet të vlerësohet si përpjekje serioze. Të gjitha propozimet, idetë e vlerësimet që kanë për qëllim arritjen e marrëveshjes e jo dështimin e saj, duhet të trajtohen me kujdes. Këshilli i përgjithshëm i LDK’së dhe deputetët e LDK-së të cilët kanë mandatin qytetar, janë ata që vendosin përfundimisht”, kishte thënë Osmani.

Ndërsa, për Veliun oferta e fundit e VV-së drejtuar LDK-së nuk ka diçka të re dhe serioze që do të mund ta zgjidhte situatën drejt një marrëveshje përdfundimtare.

“Unë po flas personalisht nuk është diçka serioze. Jemi duke e shqyrtuar megjithatë nuk ka diçka të re. Nuk ka diçka serioze aty që mund të na nxjerrë prej situatës.Duhet me shqyrtua me organet e LDK-së edhe besoj se do të bisedojmë për parime të marrëveshjes, nuk e di çfarë kemi të shqyrtojmë në këtë ofertë”, ka thënë Veliu.

Gazeta Insajderi në mëngjesin e sotëm ka shkruar për ofertën e re të cilën VV-ja ia ka bërë LDK-së.

Në këtë ofertë të siguruar nga Insajderi, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj LDK-ja do të ketë gjashtë ministri, Lëvizja Vetëvendosje pesë, derisa minoritetet tri ministri.

Oferta nga Kurti tek Mustafa ka shkuar të hënën rreth orës 22:00. /Insajderi.com