Fakte nga jeta e Agim Ramadanit – kush ia vendosi nofkën “Katana” dhe pse

Fakte nga jeta e Agim Ramadanit – kush ia vendosi nofkën “Katana” dhe pse

Anton Quni, Ministri i Mbrojtjes në 21 vjetorin e rënjës së heroit Agim Ramadani, në ceremonin “Ditëve të Shqipes”, tregoi pse Ramadani mbante nofkën “Katana”.

Quni i cili ishte bashkëluftëtar i Ramadanit, ka treguar fakte rreth jetës dhe pasioneve të “Katanës”, përcjell Gazeta Insajderi.

Ministri në detyrë, tregoi se Ramadani gjithmonë mbante libra me vete dhe gjatë kohës së lirë lexonte. Quni thotë se shokut të tij të luftës i pëlqenin librat ushtarak.

“Mësova për pasionin e tij për pikturë, poezi dhe art në përgjithësi dhe po ashtu edhe për pasionin që kishte historinë e popullin tonë. Në kohën e lirë lexonte. Çdoherë kishte me veti libra të zhanreve të ndryshme, por më shumë i bënin përshtypje librat për formacionet e lashta ushtarake siç ishin spartanët, të pavdekshmit e Persisë, samurajët e të tjerë”, ka treguar Quni.

Ndër tjera Quni ka treguar se ai i kishte propozuar nofkën “Katana”.

“Kishte vlerësim të lartë për kodin etik të samurajëve. Ishte i fascinuar me moralin, rregullat, principet dhe gatishmërinë për të mbrojtur kauzën. Kur i propozova nofkën “Katana”, ai e pranoi me entuziazëm, pasi katana ishte arma e preferuar e samurajëve. I kishte të studiuara mirë personalitetet ushtarake të Luftës së Dytë Botërore, gjithmonë në këndvështrimin ushtarak dhe profesional dhe jo në atë ideologjik”, ka rëfyer Quni.

Sot janë bërë 21 vite nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët.

Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë. /Insajderi.com