Faktet e ngutshme për Demarkacionin

Faktet e ngutshme për Demarkacionin

U nis si proces i domosdoshëm ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, por më vonë doli “mollë sherri” mes tyre. Të njëjtin gjë e bëmë edhe me Maqedoninë, por nuk patëm probleme të tilla.

Derisa po punohej në këtë drejtim, vendi kishte para vetes edhe një proces madhor – liberalizimin e vizave.

Me kalimin e kohës, demarkacioni me Malin e Zi vështirësohej. Nga një proces normal, u bë kusht për heqjen e vizave për shtetasit kosovarë.

Qeveria e kaluar që drejtohej nga kryeministri Isa Mustafa (LDK) në koalicion me Hashim Thaçin (PDK) caktuan Komisionin shtetëror që do të merrej me demarkimin e kufirit.

Ky Komision në krye me Murat Mehën, nxorën raportin i cili ngjalli pakënaqësi të mëdha te opozita asokohe. U organizuan protesta brenda dhe jashtë Kuvendit.

Madje, nënshkrimi i kësaj marrëveshje solli një model të ri të protestimit brenda Kuvendit – atë të hedhjes së gazit lotsjellës nga opozita nën kauzën për mbrojtjen e territorit.

Kjo situatë solli bllokimin disamujor të punës së Kuvendit, rrjedhimisht edhe të Qeverisë.

Këtu nisi edhe plasaritja e koalicionit PDK-LDK. Mbi këtë kauzë u rrëzua edhe kjo qeveri.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 19 qershorit erdhi qeveri e re, ku pjesë e saj ishte një parti nga qeveria e kaluar (PDK) dhe dy parti që ishin opozitare (AAK dhe Nisma).

Qeveria Haradinaj kërkonte “fakte të reja”

Ndër punët e para të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili mori drejtimin e Qeverisë, ishte shkarkimi i Komisionit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit me Malin e Zi.

Haradinaj emëroi komision të ri në krye me profesorët që tashmë dihej qëndrimi i tyre rreth kësaj çështjeje – Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi, ndër kundërshtarët më të mëdhenj të raportit të ish-Komisionit.

Kryeministri u dha një afat të caktuar për t’ia faktuar se kufiri i përcaktuar nga ish-Komisioni është apo jo gabim.

Ky Komision nxori një raport i cili u kritikua ashpër nga përkrahësit e Demarkacionit, disa prej të cilëve vinin edhe nga nivelet e larta brenda ‘Qeverisë Haradinaj’.

Të gjeturat e Komisionit u bën publike edhe në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë, praktikë e paparë deri në atë çast.

Edhe aty u tha nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj se nga raporti nuk dëgjoi asgjë të re.

Komisioni kërkon më shumë kohë për të gjetur fakte të reja

Në kohën kur raporti zyrtar me të gjeturat e këtij Komisioni i është dorëzuar kryeministrit, kryesuesi i këtij Komisioni thotë se koha ishte e kufizuar. Shpejtim Bulliqi është i bindur se do të gjenin fakte të reja po të kishin më shumë kohë ta trajtonin këtë çështje.

Raportimi i tyre i fundit ishte sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

Pas shqyrtimit që Komisioni për Punë të Jashtme do t’ia bëjë raportit për Demarkacionin, ai do t’u dërgohet deputetëve për ta shqyrtuar dhe rrjedhimisht për të votuar pro apo kundër atij versioni me të gjeturat që përmban.

Megjithatë, kryesuesi Bulliqi, kur foli për më shumë kohë për Komisionin, tha se do të gjendeshin edhe më shumë fakte që e forcojnë raportin e tyre dhe jo e kundërta.

Në fakt, kjo del pak prejudikim i materialit që do të mund të gjendej nga Komisioni.

Sido që të jetë, deputetët do ta kenë para vetes një raport, i cili do të mund të ishte edhe më faktues, qoftë pro apo kundër marrëveshjes së nënshkruan nga qeveria e kaluar.