1914: Lufta e vjetër për fron
Në 7 Mars, të vitit 1914, një burrë Austriak zbarkoi në portin e Durrësit, së bashku me gruan Sofia, dhe vartësit e tij. Ai do të ishte mbret i kësaj toke me male të lartë, e larë në det, me bajraqe të armatosura, të pa qeverisshme. Ai quhej Vilhelm Vidi, njihej si Princ Vidi por në të vërtetë ishte Mbret. Nuk është që ftesat për të qenë Mbret vijnë përditë, por Mbreti i ardhshëm i Shqipërisë ftesën nuk e kishte pranuar me lehtësi. Ai goxha një kohë kishte refuzuar të vihej në krye të një bashkësie njerëzish të ndarë pikë e pesë nëpër fise, ku vrasja ishte nder, e fjala e dhënë ligj, fisi ishte shoqërizim. Për vendin ku do të shkonte për të udhëhequr, shtypi francez e kish quajtur “le Prince de Vide”, apo Princi i Zbrazëtisë.
Kjo formulë e qeverisjes së Shqipërisë ishte planifikuar nga fuqitë e Perëndimit si tranzitore, me përfitime të dyanshme, edhe për Perëndimin, edhe për popullin shqiptar. Derisa shteti i ri i shpallur dy vjet më parë, sidomos me ndihmën e Austro-Hungarisë, të ngrihej në këmbë të veta dhe të bëhej zot vete, Perëndimi do të arrinte t’ia ndalte Rusisë, dhe shteteve që ajo i kontrollonte daljen në portin e Durrësit, domethënë dominimin total të Ballkanit.
Shqipëria e pas-pavarësisë ishte tepsi e nxehtë mbi tavolinë, duke pritur të grabitej. Luftës së Parë Botërore i ndihej era e barotit, ndërsa katër shtete (Italia, Greqia, Mali i Zi dhe Serbia) kishin shfaqur aspiratat e tyre hapur, për të marrë diçka prej saj, ndoshta për ta fshirë nga harta krejtësisht. Në anën tjetër, edhe pse pavarësia ish shpallur dy vjet më parë, Shqipëria nuk kish arritur të ndërtonte qeveri stabile, institucione të vetë qëndrueshme,as të ushtronte sovranitetin mbi tërë territorin e saj. Pjesë të vendit udhëhiqeshin nga bajraktarë e tarafe, pushteti politik e ekonomik i prijësve të tyre përpjesëtohej në numrin e burrave të armatosur që u venin prapa, Greqia kontrollonte jugun, ndërsa Serbia e Mali i Zi kishin mësyer Veriun.
Princ Vidi u gjend në mal pa sëpatë. Nëpër këtë mjegullnajë, ai tentoi të ndërtonte aleanca me bajraktarë, të cilët duke përfituar nga gjendja në terren dhe armët në shokë, arrinin ta kushtëzonin duke kërkuar përherë e më shumë pushtet. Natyrisht, goja e tyre lëshonte lëng kur e shihnin fronin e artë. Princ Vidi nuk kishte kundërpërgjigje për ambientet e politikës shqiptare dhe asnjëherë nuk arriti ta materializonte gjithë atë pushtet legal, në nivel praktik.
Për këtë, aventura e Princ Vidit qe e shkurtër. Ajo përfundoi disa muaj më vonë, në Shtator. Edhe pse legalisht ai vazhdoi të mbante titullin Mbret i Shqipërisë, ikja e tij drejt Italisë nënkuptonte që hesapet ishin prishur. Cili ishte bilanci i atyre muajve? Ca përmirësime në infrastrukturë, por në përgjithësi, asgjë! Sikur u tha, Princ Vidi e pati të vështirë të operojë me një popull që nuk e njihte, me bajraktarë të serrtë përplot armë në duar e “vullnet të popullit” në gojë, dhe, natyrisht, fqinjë të uritur që fërkonin duart në prapaskenë. Ky konstalacion ishte më shumë se sa kish kapacitet të përballonte.
Paqartësia e ekzistencës vazhdoi ta përcillte shtetin e ri edhe për shumë vite pas kësaj ngjarjeje, por poenta e këtij rrëfimi është tek i huaji që mundohet ta bëjë Shqipërinë. Dikush do të thotë se këtë e bënte për interes të vendit të tij, por, ç’rëndësi ka kjo kur argumenti është se ai kish interes që Shqipëria të shtrinte sovranitetin e të bëhej shtet funksional, ndërsa bajraktarët shqiptarë jo!
Çka duhet të ketë menduar Princ Vidi, atë ditë Shtatori gjersa anija rrëshqiste nëpër ujin e kaltër drejt Italisë, duke e lënë prapa një vend e popull të trazuar? Me siguri se qeverisja mbi shqiptarët është një detyrë e vështirë. E rrezikshme. Kjo pasi, prapa anijes që bartte Mbretin e përzënë, gjendeshin bajrakët e tarafeve që kërcënonin, stisnin plane e intriga ndaj njëri-tjetrit për të mbërritur fronin. Ndërsa një pjesë e mirë e njerëzve, që nuk e kishin pranuar idenë e kombit as shtetit shqiptar, e flamurin kuqezi me shqiponjë e shihnin si të imponuar, ngjeshnin armët për të vdekur duke luftuar, por jo për Shqipërinë, as sovranitetin e saj shtetëror e kombëtar, por për të krijuar Turqinë moderne, në Çanekala.
1997: Nga jashtë vjen shpëtimi
Në 14 Prill e vitit 1997, në Shqipëri filloi operacioni ushtarak Alba, në linjë me Rezolutën 1101 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në këtë operacion parashihej intervenimi i trupave shumë nacionale në Shqipëri, të udhëhequra nga Italia, në bashkëpunim me trupat Franceze, Greke, Gjermane dhe Amerikane. Qëllimi ishte vendosja e paqes, tejkalimi i kaosit politik dhe përgatitja për zgjedhjet nacionale. Shqipëria, që nga fillimi i vitit 1997, i ish nënshtruar një bllokade institucionale dhe kaosi politik. Disa muaj më parë depot ishin hapur dhe njerëzit ishin armatosur, bandat kishin marrë në kontroll qytetet dhe fshatrat në pjesën e jugut. Një ditë pas ndërhyrjes së trupave italiane në Shqipëri, kryeministri Italian Romano Prodi zbarkoi në Vlorë, një privilegj që zyrtarët shtetëror nuk e gëzonin, meqë në pjesën jugore të Shqipërisë shteti kish falimentuar dhe policia, ushtria apo shumica e zyrtarëve shtetëror nuk mund të depërtonin më. Në një intervistë të bërë rishtas, Romano Prodi e cilësoi operacionin Alba si të suksesshëm. Disa muaj pas zbarkimit të trupave, u mbajtën zgjedhjet nacionale që nxorën qeverinë e re, dhe Shqipëria iu kthye normalitetit. Sidoqoftë, bilanci i falimentimit të shtetit ishte ky: u hapën burgjet nga ku dolën rreth 5.000 të burgosur, dëme enorme materiale e infrastrukturore, mbi 1.000 të vdekur dhe shumë më shumëse kaq të plagosur.
Falimentimi vitit 1997 në Shqipëri shpërfaqi veset e politikës shqiptare që vazhdojnë ta ndjekin edhe sot e kësaj dite,deri në vetë shkatërrim:përfitim në raste fatkeqësie, mos unitet, lakmi, luftë të pa kompromis për pushtet, inate dhe gënjeshtra. Këto vese nuk janë të reja dhe hasen qysh në fund shek. XIX dhe fillim të shek. XX.
Gjersa Perandoria Osmane po shembej, shqiptarët nuk arritën tëlexonin lëvizjet gjeopolitike të funshekullit XIX, në masë të madhe refuzuan idenë e kombit dhe konceptin e shtetit modern të ndërtuar mbi ligj, andaj u vonuan në rikonfigurimin e stabilizimin e tyre shoqëror, nacional, kulturor e politik. Kjo gjë iu kushtoi shtrenjtë, kësisoj ata nuk mundën kurrë të krijonin një sistem institucional që respekton procedurat, ushqen besim shtet-qytetar, prodhon politika për probleme reale, organizon zgjedhje, kryen rotacion pushtetesh paqësisht dhe merr vendime afatgjate përmes marrëveshjeve politike e koncensusit. As në kohën e para-Monarkisë, as në kohën e Monarkisë, as në kohën e Komunizmit dhe as në kohën e Demokracisë. Dhe si në rastin e Princ Vidit, Romano Prodit, apo kujtdo tjetër, shpëtimi duhet të vijë nga jashtë. E keqja është se e njëjta frymë me të njëjtat vese është përcjellur në Kosovën post-1999.
2017: Falimentimi i radhës
Në Korrik të këtij viti ishim në dasmë të një familjari, së bashku me miq nga Kosova, shqiptarë që jetonin në Zvicër dhe zviceranë të ardhur enkas për këtë ngjarje. Njëri nga ne ngacmoi zviceranin më të zëshëm se kosovarë-shqiptarët, pasi kanë marrë përsipër kombëtaren zvicerane në futboll, së shpejti do të kenë pozitën e kryeministrit të Zvicrës. Kundërpërgjigjja e tij ishte se puna e parë që do të bënte në atë rast, ishte të blen te banesë në Luksemburg, pasi për 10 vjet shteti zviceran do të pësonte fiasko. Kjo u përcoll me të qeshura. Dikur e qeshura vdiq, dhe ra heshtja, dhe me siguri të gjithë ne mendonim mbi atë që sapo ish thënë.
Nëse kjo hajgerë do të thuhej në natën e 22 Dhjetorit 2017, nuk do të mund të cilësohej si hajgerë, por ngjarje e vërtetë. Në mbrëmjen e 22 Dhjetorit shteti i Kosovës, si procedurë dhe ide, falimentoi. Institucionet e Kosovës, Presidenca, Qeveria dhe Legjislativi, të marrë peng nga tre persona që iu ka qëlluar të jenë në krye të tyre, vendosën që obligimi ndërkombëtar për funksionimin e Gjykatës Speciale brenda juridiksionit të Kosovës në vitin 2015, duhet të zhbëhet. Vendimi nuk u mor nga institucionet si përfaqësuese të kosovarëve, por nga tre njerëz në emër të tyre.
Në Kosovë krenarisht ende flitet për besën e ndershmërinë si virtyte të larta, por një kusht me rëndësi i të qenit shtet është aftësia për të krijuar marrëdhënie diplomatike dhe obligime ndërkombëtare, me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare. Dhe betimi i Presidentit nëpër oda me 124 pleq, e pjesëmarrja në komunitetin ndërkombëtar si përfaqësues mes shtetesh të barabarta,vështirë shkojnë krah njëra-tjetrës. Këtë po e shohim përditë, me atë se çka paraqet Kosova në politikën ndërkombëtare sot.
Në aspektin praktik, çështja e Gjykatës Speciale, është e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Kosovës, sidomos në këto kohëra, kur aleancat e sajdisa prej vende vepartnere janë lëkundur dhe procesi i njohjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe ka ngecur. Madje këtë gjë, deri para pak javësh, e kanë thënë publikisht vetë disa prej këtyre tre udhëheqësve. Si ndodhi pra, që u bë kusur në duart e tre personave? Dhe ç’është më e rëndësishmja: çka ndodhi me demokracinë, debatin publik, mekanizmat shtetëror pararojë që nuk lejojnë individët të kenë mbi pushtet?
Kosovarët kanë zgjedhur udhëheqësit e tyre, por mbrëmjen e 22 Dhjetorit, tre udhëheqësit më të lartë shtetëror nuk i përfaqësonin ata. Paradoksalisht, Greg Delawie dhe Ruairi O’Connell flisnin atë që mendonte shumica e njerëzve, ndërsa tre udhëheqësit institucionalë flisnin e vepronin për vete dhe grupet, klinetelat e tyre. Se si mund ambasadorët që janë në Kosovë për të mbrojtur interesat e shteteve të tyre, të jenë përfaqësues të kosovarëve më shumë se sa liderët e zgjedhur me votën tonë, është substancë për mendim serioz për tre udhëheqësit, por posa qërisht për ne, zgjedhësit e tyre.
Sado që për shumicën e kosovarëve çështja e shtetësisë së Kosovës është e kryer, shpesh harrohet se brenda territorit të Prishtinës gjenden zyret e UNMIK-ut, në bazë të Rezolutës 1244. KFOR mban rreth 5000 trupa nëpër Kosovë. Kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është shtet, por se tek komuniteti ndërkombëtar Kosova është ende e pasigurt për t’u lënë vetëm. Rreziku parësor mund të jetë i jashtëm, por rreziku i brendshëm është prezent gjithashtu. Ideja se qeveria e Kosovës mund të suspendohet, në shkëmbin të krijimit të një qeverie civile, eksperimentale, për një afat të caktuar, nën përkujdesjen e KFOR, për dikë mund të tingëllojë fantashkencë, por është mundësi reale politike. Gjasat janë se nuk do të ndodhë kurrë, por vetë fakti se është diskutuar dhe vazhdon të konsultohet në qarqe të caktuara ndërkombëtare, shpërfaq gjendjen e institucioneve të Kosovës dhe jo seriozitetin e palës kosovare në krijmin e strukturave shtetërore efektive, një dekadë pas pavarësisë. Kosova ka ende punë për të stabilizuar institucionet brenda dhe për t’u njohur si anëtar i barabartë i komunitetit ndërkombëtar, por në këtë pikë, nuk është e sigurt as si do të ndodhë kjo, as kush ka kredencialet dhe kapacitetin ta marrë përsipër detyrën e përfundimit të shtet ndërtimit. Ç’është më shqetësuese, nuk dihet nëse ekziston vullneti i njëjtë nga shtetet partnere për përkrahje, duke parërezultatet e deritanishme.
Por jo vetëm kaq. Akrobacioni i 22 Dhjetorit shpërfaqi edhe të metat e sistemit shoqëror kosovar,si tërësi. Përgjigjet mbi këtë sallto politike duhet kërkuar edhe në përditshmërinë e shqiptarit ahistorik të Kosovës, politikan a qytetar, që nxjerr hesapet e historisë si i vjen për së mbari. Tek shqiptari i Kosovës që njëanshëm tenton të ndryshojë mënyrën e funksionimit të politikës ndërkombëtare, ta bazojë në moral e drejtësi në vend të fuqisë, gjersa veprimet e veta përherë e mbajnë të zhveshur nga fuqia. Përgjigjet duhet kërkuar tek shqiptari i Kosovës që refuzon të kuptojë atë që Thucydides e kuptoi 2500 vjet më parë gjatë luftës së Peleponezit, dhe vazhdon të shkelë në dërrasë të kalbur përsëri e përsëri, të flasë për korrigjimin e padrejtësive historike, gjersa politika evulon nga dita në ditë. Dhe evolimi i saj ndodhë pavarësisht a përmendet apo jo. Ta zëmë evoluimi politik i këtyre ditëve ishte se i dërguari i Aleksandar Vuçiçit, Marko Gjuriq përuroi televizionin shtetëror serb në Graqanicë, paralagje e Prishtinës.
Si u bë që në vitin 2017, kur Kosova ka 100 e kusur njohje, flamurin e Kosovës që simbolizon ndarjen nga Serbia, e sheh të vendosur në setrën e Greg Delawie, por nuk ta sheh syri (thuajse)askund nëpër Prishtinë? Si u bë që Kosova është vendi më i pabarabartë në Evropë, e 60% e të ardhurave nga vendet e punës i shkojnë 20% më tëpasur të shoqërisë? Ose si rodhën punët që “Xhamadani vija-vija” dhe “Kuqezi” e Elvana Gjatës këndohen në autobusin e mbushur me shqiptarë që ikin si azilantë ilegalë drejt Perëndimit? Mbi 100.000 shqiptarë ikën nga Kosova drejt vendeve të Perëndimit në vitet 2015-2016. Kjo shifër ishte e krahasueshme vetëm me shtete në gjendje lufte si Siria, Iraku dhe Afganistani. Andaj, kur ke parasysh gjithë këto, nuk është fort me rëndësi që në këtë farë cirku të quajtur skenë institucionale, vendim politik quhet emërimi i zëvëndësministrit të 71-të, e herë pas here kryeministri shkrepë TT-në drejt qiellit, kur është duke bërë qejf në odë të burrave.
E gjithë skena publike e Kosovës është e mbushur me patriotizëm vizual. Ana më negative e këtij fenomeni mbizotërues, është se nuk mbetet hapësirë të bëhet dhe zhvillohet politika e njëmendtë. Sikur ta zëmë, të diskutohet mbi skemat sociale të sterrënduara e jofunksionale, ose si qytetarët e Kosovës e duan Kosovën në vitin 2030.
Para më se njëqind vjetësh, kur Princ Vidi mendonte të forconte sovranitetin e Shqipërisë,vetë shqiptarët ishin vonuar në gjykimin dhe leximin e situatës gjeopolitike. Një pjesë e tyre provonin të shpëtonin Perandorinë Osmane, ndërsa bajraktarët e armatosur luftonin njëri-tjetrin për pushtet. Ngjashëm, njëqind vjet më vonë,shqiptarët e Kosovës janë vonuar të kuptojnë realitetin në të cilin jetojnë dhe ta pranojnë atë, si formulë e modus politik civil, në raport me fuqinë e organizimin e tyre politik e kombëtar. Kjo është një prej arsyeve pse institucionet dhe udhëheqësit janë të këtillë, dhe akrobacioni i mbrëmjes së 22 Dhjetorit nuk është i pari. Fatkeqësisht, nuk do të jetë as i fundit.
Por duhet ditur, se pavarësisht fatit zemërgjerë (natyrisht i yshtur nga interesi i shteteve të tjera), që ka kthyer institucionet në vendsa herë teket e shqiptarëve i kanë bërë shkrumb e hi, akrobacionet politike të individëve në institucione nuk do të përfundojnë mirë çdo herë. Politika së pari është vendim mbi probleme të përditshme, jo ndryshim tektonik, debat mbi të mirën e të keqen, apo ndarje e të drejtës e të padrejtës. Kosova është megjithatë e njerëzve të saj, dhe atyre iu takon të luftojnë për përmirësimin e saj, më shumë se sa Greg Delawie apo Ruairi O’Connell.