Falja e dënimeve të qytetarëve që kanë shkelur masat anti-COVID, po synohet të bëhet përmes një peticioni, të cilin për një javë ka arritur ta nënshkruajnë rreth katër mijë qytetarë, në vende të ndryshme të Kosovës, transmeton Insajderi.
Që kjo nismë të dërgohet për trajtim në Kuvendin e Kosovës, nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime.
Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate, e cila e ka nisur këtë peticion, thotë se ‘Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19’, ka për qëllim faljen e borxheve vetëm për disa kategori, por jo edhe për partitë politike.
“Falja përfshin borxhet e qytetarëve si persona fizikë, borxhet e bizneseve të vogla dhe të mesme. I kemi përjashtuar partitë politike nga falja, ato parti që kanë bërë katastrofë shëndetësore gjatë fushatës zgjedhore të fundit dhe po ashtu edhe bizneset e mëdha i kemi larguar nga mundësia e faljes së borxheve”, tha Nushi për REL.
Ai tha se me anë të këtij projektligji, parashihet që qytetarëve që tashmë i kanë paguar gjobat, t’iu kthehen paratë.
“Janë rreth 200 mijë gjoba dhe shumica prej tyre janë të papaguara, mirëpo qytetarët po detyrohen dhe po kushtëzohen që për regjistrimet e veturave t’i paguajnë të gjitha gjobat, ndërkohë që kemi krizë ekonomike. Nuk ka ndihma qeveritare, s’ka vaksina, s’ka kuptim të ngarkohen qytetarët edhe me gjoba”, tha Nushi.
Që nga 26 gushti i vitit të kaluar e deri më 24 maj të këtij viti, Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 202 mijë gjoba kundër qytetarëve që kanë shkelur Ligjin për COVID-19. /Insajderi.com