Falsifikimi i tokave, arrestohet një prej të kërkuarve

Falsifikimi i tokave, arrestohet një prej të kërkuarve

Kapet dhe ndalohet edhe një tjetër person i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Ranishtja 4”.

Në vijim të këtij operacioni, ku u arrestuan 12 zyrtarë dhe u shpallën në kërkim 11 shtetas të tjerë, kapet dhe ndalohet një tjetër prej të shpallurve në kërkim nga Policia e Lezhës në Shqipëri.

Në pranga është vënë Nikoll Tinaj, 58 vjeç, banues në Ishull Shëngjin të Lezhës. Ky shtetas akuzohet për falsifikim dokumentesh.

Drejtori i Policisë së Lezhës, Ferdinand Mara, shpjegoi në 16 mars se personat e arrestuar dhe ata në kërkim, “në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”. Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumente të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore.

Më pas është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshe Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë”./Top-Channel/