Mjaftoi një paraqitje televizive për t’u mobilizuar të gjithë shqiptarët që t’i dalin në ndihmë Hamdi Aliut nga Prishtina. Një deklaratë e tij e rastësishme e dhënë për ekipin e televizionit T7, ku nën lot tha se nuk ka bukë për t’i ushqyer fëmijët, emocionoi të gjithë. Këto deklarata ish-arsimtari i gjuhës shqipe po del t’i ketë dhënë në gjendje afekti,kishte qenë i mllefosur me një dënim që përmbaruesi privat ia bëri atij duke i ndalur pagën prej 150 eurove për shkak të një borxhi. Por, familja e Hamdiut, e cila ka në pronësi një shtëpi në Rrezallë të Skënderajt dhe banesë në Prishtinë, thotë se ai nuk i kanë punët dhe aq keq.
Telefoni i Hamdi Aliut nga Prishtina që nga dje nuk po pushon. Atij po i drejtohen qindra thirrje. Të gjitha për t’i dalë në ndihmë financiare ish-arsimtarit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ai mëngjesin e së hënës u ndal nga kamera e T7 ku rrëfeu për një brengë që e kishte.
Tha se përmbaruesi privat ia ka ndalur të ardhurat e vetme mujore që i kishte për shkak të një borxhi. E si pasojë e saj, zotëri Hamdiu para kamerës deklaroi se, që nga e premtja në mungesë të parave nuk i ka ushqyer fëmijët me bukë. E, ka qenë pikërisht kjo deklaratë e cila i ka mobilizuar shumë shqiptarë brenda e jashtë Kosovës.
Dëgjoni rrëfimin e Hamdi Aliut duke klikuar këtu
Vetëm në adresë të Gazetës Express, që nga dje janë pranuar me dhjetëra thirrje për t’i dalë në ndihmë familjes së Hamdiut. Por, qytetarë të shumtë kanë shkuar edhe në familjen e tij duke iu dhënë para, gjëra ushqimore e veshmbathje.
Por e vërteta sipas familjarëve është pak më ndryshe se sa ajo që e ka thënë Hamdi Aliu. Ata, prononcimin e kreut të shtëpisë së tyre po i cilësojnë të ngutshëm. Express, të martën ka qëndruar në familjen Aliu. Ata kanë thënë se kryefamiljari deklaratën para mediave e ka dhënën nën efektin e emocioneve dhe nervozes së ndalesës së rrogës nga përmbaruesi.
“Nuk jemi pa bukë. Nuk i kemi kushtet edhe aq mirë po jo ashtu qysh ka thënë. Ne i kemi gjashtë fëmijë, ata janë prekë nga deklaratat. Fëmija punojnë ngapak”, ka deklaruar gruaja e Hamdiut.
Ajo ka deklaruar se persona të shumtë po i ndihmojnë, por që kushtet nuk i kanë edhe aq keq. Nga familja thonë po ashtu se edhe një pjesë e borxhit që e kishin i është shlyer nga njerëzit e vullnetit të mirë.
“Po vijnë po na ndihmojnë kapak për do sene, por ne nuk jemi aq keq. Le të mirët vesh burri, me neve nuk kanë të bëjnë as mediat as askush. Tash rrogën ia kanë qitë, dikush ia kish paguar do borxh. Ju thirreni e vetni prap. Ata që na njohin e din që nuk i kemi kushtet e mira, por pa bukë nuk jemi”, thonë tutje nga familja. Por telefoni i zotëri Hamiut ka qenë jo i qasshëm për Gazetën.
Përmbaruesi bëri shkelje që ia ndali rrogën
Këto deklarata emocionuese, Hamdi Aliu, arsimtari që për 20 vite ligjëroi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Skenderaj, anëtarë i Lidhjes të shkrimtarëve të Kosovës që shkroi dhe 3 libra, i bëri pasi përmbaruesi privat ia ndali atij pagën për shkak të borxheve ndaj shtetit.
E përmbaruesi, të gjithë rrogën prej 150 eurove ia kishte marrë menjëherë nga xhirollogaria bankare zotëri Hamdiut.
Por edhe ky veprim i përmbaruesit o cilësohet si jo i drejtë. Avokati, Gazmend Rexhepi, ka shpjeguar rreth shkeljeve që i ka bërë përmbaruesi privat. Ai thotë se sipas Ligjit të Procedurës Përmbarimore ekzistojnë përjashtimet e përmbarimit në rastet kur kemi të bëjmë për ushqim mujor për anëtaret e familjes.
“Paga në tërësi nuk mund të ndalohet. Këtë gjë e përcakton qartë neni 112 LPP. Por sipas LPP eksitojnë e përjashtimet e përmbarimit ne rastet kur kemi të bëjmë me ushqimin mujor për anëtaret e familjes. Për rastin e tillë duhet shikuar ky rast a ka shkuar në Gjykatë a ka pasur Ankese (Prapsim). A i ka shfrytëzuar zotëria në fjalë të drejtën e mjeteve juridike”, thotë avokati Gazmend Rexhepi.
Ai shpjegon se në asnjë mënyrë sipas ligjit nuk guxon të ndalohet paga në tërësi.
“Kjo është shkelje ligjore”, thotë ai.
Megjithëkëtë, sipas Ligjit të Procedurës Përmbarimore, Nenit 112, Kufizimi i përmbarimit, pika e thuhet se “Përmbarimi në të ardhurat personale, për shpërblimin në vend të pagës dhe për pensionin mund të caktohet dhe të zbatohet deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Shuma që sekuestrohet do të kufizohet në pjesën që tejkalon shumën e ndihmës më të lartë sociale që paguhet brenda territorit ku debitori ka vendbanimin”.
Por nga përmbaruesi privat, në një e-mail drejtuar emisionit “Frontal” kanë deklaruar se që në vitin 2016-të ka pranuar propozim për përmbarim ndaj debitorit në fjalë. Sipas përmbaruesit, debitori ka pasur të drejtë që në afat prej pesë ditësh të kundërshtojë këtë borxh në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mirëpo, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Për këtë arsye, sipas përmbaruesit, konform ligjeve të Kosovës, janë bllokuar mjetet deri në shumën e kërkuar nga kreditori. Borxhi prej 410 euro, që ende figuron i papaguar, do të mbajë të mbyllura llogaritë, deri sa të vendosë ndryshe kreditori.