Familja Mehmeti nga fshati Bibaj në Komunë e Ferizajt përfundoi në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës në Klinën e Infektives pasi një helmimi që kishin pësuar në një dasmë që kishte familja.
Televizioni publik raportoi se 50 të pranishëm janë helmuar, prej të cilëve një grua 24-vjeçare dhe dy fëmijë janë në gjendje të rëndë, por Insajderi ka kontaktuar me kryefamiljarin Enver Mehmeti i cili ka konfirmuar se tashmë të gjithë anëtarët e familjes së tij janë mirë dhe kanë kaluar gjendjen e rëndë që e kanë pasur të premten.
“Tash të gjithë jemi mirë dhe po e marrim vetëm”, ka thënë Mehmeti.
Fillimisht dyshimet e para sipas vet familjarëve ishin tek produktet e mishit por kryefamiljari i tha Insajderit se helmimi ka ndodhur shkaku i tortës së dasmës.
“Ka qenë shkaku i një torte dhe si duket shkaku kanë qenë vezët të cilat janë prishur nga i nxehti”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka treguar se të gjithë anëtarët e familjes së tij tashmë janë jashtë rrezikut për jetë dhe dhe gjendja e tyre është përmirësuar dukshëm.
Insajderi ka kontaktuar edhe Faton Haxhisalihu, kryetarin e fshatit Bibaj ku ka ndodhur helmimi i cili ka thënë ta ketë vizituar familjen.
Edhe ai ka konfirmuar se bazuar nga rrëfimi i familjes, helmimi ka ndodhur shkaku i tortës së dasmës.
“E di që deri në 30 ka shkuar numri i të helmuarve”, ka thënë ai./Insajderi.com