Familjarët e tre të vdekurve nga familja Haliti e Gjilanit në Durrës të Shqipërisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të kërpudhave, kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me “neglizhencën e shërbimit spitalor në Manëz”, transmeton Insajderi.
Sipas të birit të të ndjerit, ajo që është më tepër shqetësuese për të, është fakti që tre persona kanë shkuar me të njëjtën simptomë në spital, dhe asnjërit nuk I është bërë ndonjë analizë dhe janë liruar për në shtëpi me disa barna.
“Diçka që është tepër shqetësuese për ne është keqtrajtimi dhe neglizhenca në shërbimin spitalor të Manzës”, është shprehur familjari.
“Tre pacientë të shkojnë më të njëjtin simptomë dhe të kthehen në shtëpi me barna nuk është adekuate – pa analiza dhe pa kurrfarë përkushtimi të lirohet pacienti në atë gjendje është diçka jo e duhur për çdo mjek”, ka thënë ai.
I biri i viktimave, tutje tha se familjarët kanë pasur edhe një qen dhe sipas tij, është shumë shqetësuese ngordhja e tij pasi ai nuk e han ushqimin e njëjtë me njerëzit.
“Problemi që më shqetëson më së shumti është se e kemi pasur një qen, është shqetësuese pse ngordhi qeni pasi qeni nuk han ushqim si ne dhe kjo më lë të mendoj se kjo vdekje është shumë e dyshimtë”.
“Dyshimi rrjedh ngase edhe qeni ka ngordhur, por qeni nuk han kërpudh,a ai e han ushqimin e tij”.
Familjarët e viktimave shtuan se nuk do të thonë e as hedhin akuza derisa mjekësia ligjore ta thotë fjalën e fundit.
Gjatë ditës së djeshme kanë humbur jetën tre kosovarë nga Gjilani në Shqipëri, pasi të njëjtit dyshohet se janë helmuar me ushqim. /Insajderi.com