Familjarët e të zhdukurve në Gjakovë kërkojnë të dënohen kriminelët serbë

Familjarët e të zhdukurve në Gjakovë kërkojnë të dënohen kriminelët serbë

E rrethuar mes fotografive që i sjellin kujtimet me bashkëshortin Halimin, djemtë Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin, jeton e vetmuar zonja Ferdonije Qerkezi.

Shumë e zhgënjyer që ende askush nuk u dënua për krimet që forcat serbe i kryen ndaj familjarëve të saj nëna Ferdonije e konsideron të padrejtë aktakuzën ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që luftuan vetëm për lirinë e vendit.

Qerkezi, ndërsa rrëfen për 27 marsin e vitit 1999 kur nga shtëpia forcat serbe ia rrëmbyen bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, thotë se pala ndërkombëtare me popullin e Kosovës po sillet sikur me një “kukull”.

Ferdonije Qerkezi e cila ende nuk di asgjë për fatin e bashkëshortit të saj dhe 2 djemve, Armendin dhe Ardianin, shprehet se përkundër shumë deklaratave dhe dëshmive të dhëna ende askush nuk u vu para drejtësisë për të këqijat që i ndodhën familjes së saj.

Për punën dhe vetë Gjykatën Speciale ajo thotë se është një gabim i madh. E mllefosur mes lotësh nëna të cilës paramilitarët serbë ia vranë bashkëshortin dhe katër djemtë thotë se bashkësia ndërkombëtare po bënë gabime derisa po tenton t’i dënojë çlirimtarët e Kosovës.

Ajo kërkon nga pala ndërkombëtare që t’i bëjë më shumë presion që të tregojë për vendndodhjen e mijëra të zhdukurve në Kosovë që ende nuk dihet për fatin e tyre./Insjaderi.com