Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” tashmë kanë arritur familjarët e mërgimtarëve të cilët pritet të arrijnë nga Kroacia në Prishtinë, pasi i kanë mbijetuar aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë të dielën e 25 korrikut.
Në vend të ngjarjes kanë mbërritur edhe tri autoambulanca, njofton Insajderi.
Ndërsa, trupat e personave që vdiqën tragjikisht pritet të arrijnë të mërkurën në mëngjes në Kosovë.
Ndryshe, një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa mbi 40 janë lënduar.
Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka njoftuar se në mesin e viktimave të aksidentit është edhe një gjerman.
Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com