Selvije Berisha, 58 vjeçare, nga fshati Kryshec i Pejës, javëve të fundit përballoi dy infarkte dhe një operacion në zemër që i zgjati 13 orë. Për tri javë kishte qëndruar e shtrirë në QKUK derisa ishte shëruar plotësisht, mjekët e lëshuan dje nga spitali.
Sëmundjes në zemër i shpëtoi, por jo aksidentit të rëndë që ndodhi dje në Gllarevë. Rrugës për në shtëpi vetura në të cilën ndodhej ajo bashkë me të vëllain Malushin dhe bashkëshortin Jakupin, u aksidentua rëndë me një autobus dhe i la të vdekur që të tre. Familjarët po i prisinin me gëzim të madh në shtëpi, por fatkeqësisht ata pranuan kufomat e tyre
Varrimi i çiftit Berisha, Selvija 58 vjeç dhe Jakupi 62 vjeç do të bëhet nesër në prezencën e dy djemve të tyre, të cilët sot vijnë nga Gjermania. Ata kanë edhe një djalë e një vajzë tjetër të cilët jetojnë në Kosovë.
Vëllai i Selvijes Malush Malushaj 50 vjeç është varrosur sot në orën 14.00 në vendlindjen e tij në fshatin Kotradiq të Pejës.
Kunata e çiftit Berisha, Kimetja ka rrëfyer për Express ngjarjen se si ndodhi aksidenti. Ajo tha se pas tri javësh qëndrimi në spital Selvija, dje, po kthehej në shtëpi me burrin dhe vëllain. Vëllai i Selvijes, Malushi po voziste dhe pas një tejkalimi të pasigurt ishte ndeshur me një autobus.
“Selvija u bo operacion në spital, ka qëndru 3 javë, 13 orë i ka zgjatë operacioni, mjekët e shnoshën, dje ka pas me ardhë e shëndoshë, por ka ndodhë aksidenti ne Gllarevë prej Prishtine. Dy herë mjekët e kanë shpëtu prej infarktit, vllau u kan tu i grah kerrit. Në Gllarevë ka tejkalu, i ka ra autobusit, edhe janë mbet dy të vdekur. Malushin e kan çu për Prishtinë, Malushi është vëllai i Selvisë. Deri ne gjysmë të rrugës u kanë i gjallë, në gjysmë të rrugës ka vdekë e kan kthy për Pejë sot e vorrosëm”, rrëfen Kimetja.
Më tej Kimetja rrëfen se Malushi ka qenë veteran i luftës së fundit në Kosovë dhe pas vete ka lënë dy fëmijë, gruan dhe nënën 90 vjeçare.
“Malushi nanën e ka 90 vjeç, veteran i luftës është UÇK u kan, ka edhe fëmijë te vegjël. Qikë dhe djalë”, thotë ajo.
Ajo ka një apel për të gjithë shoferët:
“Kush i gra kerrit, le ti grah ma kadale se më mirë një orë me vonesë me shku se me bo ndeshje”, shprehet Kimetja.
Policia e Kosovës vazhdimisht kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugor në mënyrë që bashkërisht të ndikojnë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik.