Familjari i njërit nga viktimat e aksidentit të autobusit në Bullgari ku mbetën të vdekur 46 persona, tha se nuk ka informacione për të afërmit e tyre, përcjell Insajderi.com.
Xhelal Bakiu, i cili po e kërkon kushëririn e tij, Enes Bakiu, u shpreh i revoltuar pasi që nuk kanë informacione pasi që deri më tash askush nuk jep sqarime në lidhje me këtë ngjarje, raporton ABC News.
“Ishte ora 6 e mëngjesit, isha duke shkua në punë, e pash lajmin në Facebook, menjëherë më shkoi mendja tek kushëriri imë dhe filluam të interesohemi. Kërkuam numrat e ‘Besa Trans’, por nuk paraqiten në telefon.
Nuk kemi informata as nga institucionet, as nga Ministria e Jashtme. Nuk kemi informacione për momentin. Me familjarin kontaktin e parë e kam para dy ditësh para se ai të nisej për udhëtim”, është shprehur ai.
Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të së martës, një autobus që po qarkullonte nga Stambolli, u aksidentua dhe u përfshi nga flakët në Sofje të Bullgarisë, duke lënë kështu së paku 46 persona të vdekur.
Autobusi kishte për destinacion Shkupin dhe shumica e viktimave që ishin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut ishin në një ekskurzion në Stamboll./Insajderi.com