Familjari i Jakup Krasniqit: EULEX nuk po na lë të afrohemi pranë shtëpisë

Familjari i Jakup Krasniqit: EULEX nuk po na lë të afrohemi pranë shtëpisë

Njësitet policore të EULEX-it po bastisin shtëpinë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit.

Dardan Kransiqi, nipi i Jakup Krasniqit, ka thënë për Kosovapress se nuk po lejohet që të afrohen.

“Momenteve të fundit nuk ka pasur diçka konkrete të tillë. Për rastësi unë edhe mbrëmë kam qëndruar me të deri vonë ndejë krejt familjare, nuk është vërejtur diçka. Ajo çka ne e dimë është që prej orës 5-6 të mëngjesit kanë ardhë këtu me gjithë këtë numër të madh të veturave dhe numër të madh të policëve. Ajo që po na shqetëson është se nuk po na lënë të afrohemi për të parë se nëse ka nevojë për diçka. E vërteta është se kanë ardhur, nuk kemi pasur njoftim. Edhe ne jemi spektatorë sikur ju”, tha ai.

Nipi i Jakup Krasniqit, shprehi bindjen e tij të plotë në pastërtinë e luftës së Jakup Krasniqit si pjesë e UÇK-së.

“Është ditë që njerëzit që kanë qenë pjesë e UÇK-së do të ballafaqohen me këto gjëra. Unë jam i bindur në atë se ky nuk mund të përfaqësoj pjesën kriminale, nuk ka të bëjë me atë far pune. Pjesën tjetër mbetet të shohim”, u shpreh ai. /Insajderi.com