Farmacistët kosovarë shprehen të gatshëm të asistojnë në procesin e vaksinimit kundër covid-19

Farmacistët kosovarë shprehen të gatshëm të asistojnë në procesin e vaksinimit kundër covid-19

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, në një prononcim për media ka thënë se në disa vende të BE-së, farmacistët janë autorizuar edhe për çështjen e vaksinimit dhe se janë të gatshëm edhe ata të ndihmojnë në këtë proces, njofton Insajderi.

Sipas Jakupi pandemia ka bërë që të ketë panik tek qytetarët  për furnizim me sasi të madhe të barnave, duke shkaktuar kështu çrregullim të këtij sektori.

“Prej kur ka filluar pandemia do të thotë me fillimin e vitit janë shfaqur disa vështirësi të mëdha për shkak se u shfaq një panik e madhe në popullatë dhe kjo bëri që te gjithë njerëzit të shkojnë në barnatore të kërkojnë sasi të madhe të produkteve që ti marrin në shtëpitë e tyre. Kjo shkaktoi një çrregullim shumë të madh të sektorit. Poashtu krijoi stoqe të këtyre barnave në shtëpitë e pacientëve që jodomosdoshmërisht do të përdoreshin, sepse kishte shumë lloje antibiotikëve që u morën, pastaj barna të ndryshme, suplemente, thjeshtë ishte një ngarkesë shumë e madhe fillestare edhe për qytetarët dhe për personelin që punonte në barnatore sidomos në fluksin e muajt të parë kur filloi pandemia” është shprehur Jakupi.

Po ashtu kreu i odës Jakupi ka treguar se çrregullim gjatë pandemisë pësoi edhe çmimi i barnave, ku filloi lëvizja e çmimeve nga prodhuesi, importuesi e nganjëherë edhe në barnatore.

Tutje Jakupi bëri të ditur se tashmë është sanuar mungesa e Heparinës me peshë të vogël molekulare.

Gjithashtu Jakupi tregoi për EO se komuniteti farmaceutik ka qenë shumë i rrezikuar nga Covid-19,  për shkak se barnatorja ka qenë gjithashtu si vijë e parë e frontit.

I pari i Odës së Farmacistëve bëri me dije se akoma nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për kërkesën e tyre lidhur me rregullimin e udhëzimit për çmime.

“Nuk ka pasur ndonjë çështje të caktuar a theksuar ne kemi pasur disa kërkesa. Kërkesa kryesore gjatë kësaj kohe ka qenë që të aplikohet e të zbatohet udhëzimi për çmime dhe këtu ne kemi pasur një ngecje nga Qeveria sepse nuk ka pasur hapa konkret në çbllokimin e kësaj situate. Ne edhe sot presim që kjo çështje sa më parë të kryhet, natyrisht nëse ka dilema për çështje të caktuara ato duhet të diskutohen. Ka qenë një përkrahje nga Qeveria dhe që është mirëpritur” ka treguar

Jakupi në emër të farmacistëve ka thënë se ata janë të gatshëm për vaksinim, kur fluksi i qytetarëve të jetë i madh.

“Në vendet e ndryshme të BE-së farmacistët janë autorizuar edhe për çështjen e vaksinimit. Ne e dimë që kur të vije koha e vaksinimit do të ketë fluks të jashtëzakonshëm të pacientëve të cilët duhet ti marrin vaksinat dhe kjo do të jetë një sfidë e madhe për sistemin shëndetësor që të mund ta organizoj procesin e vaksinimit. Te ne nuk është e lehtë të bëhet. Sidoqoftë farmacistët janë profesionist shëndetësor të cilët mund t’i gjendet Qeverise, komunitetit e qytetarëve edhe për shërbime shëndetësore” ka përfunduar Jakupi./Insajderi.com