Fatbardh Kadilli shpall kandidaturën për kreun e PD-së, Bashës i kërkon dorëheqje

Fatbardh Kadilli shpall kandidaturën për kreun e PD-së, Bashës i kërkon dorëheqje

Duke pranuar humbjen e zgjedhjeve, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe mbledhjen sa më parë të kryesisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Kadilli shprehet se “partia gjendet përballë humbjes së tretë dhe se ky është një model që ka shteruar”.

“I bëj thirrje Kryesisë të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri. Nuk kemi kohë për të humbur. Përpara shqiptarëve kemi misionin për një opozitë të re!”, shkruan Kadilli.

Ndërkohë, ai ka shpallur edhe kandidimin për detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike.

“Iu bëj thirrje të gjithë demokratëve të mos dorëzohen. Ne jemi parti e vlerave dhe forcës; trashëgimtare e Lëvizjes së Dhjetorit, besimtare e kredos: ‘e duam Shqipërinë si gjithë Evropa’”, shkruan më tej Kadilli.

Sakaq, ai u ka bërë thirrje të gjithë numëruesve dhe vëzhguesve që të mbrojnë votën e opozitës dhe të çdo shqiptari.

Rezultati i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, por nga të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PS kryeson me 48.65% të votave, PD me 39,39% të votave dhe LSI me 6.84%.

Ky reazultat i zgjedhjeve është pranuar edhe nga presidenti Ilir Meta./Insajderi.com