fbpx

Fati i kryediplomatit të Shqipërisë në duart e njeriut më të korruptuar të Shqipërisë

Meta preferon kosovarët e korruptuar. Ose ata që kanë potencial të madh për t’u korruptuar. Cakaj nuk i ka këto shkathtësi.

Fati i kryediplomatit të Shqipërisë në duart e njeriut më të korruptuar të Shqipërisë

Ilir Meta, presidenti i Shqipërisë, rrallëherë i bënë njerëzit për të qeshur. Më shumë i nxitë për të protestuar kundër pushtetit. Nuk shquhet shumë për sens humori. Por, është një deklaratë e tij që i bënë njerëzit që të gajasen së qeshuri. Nga këndi i tij, Meta e thotë seriozisht. Pretendon se njerëzit e besojnë atë.

“Do të bëjmë të gjitha verifikimet e duhura”, është kjo deklarata e famshme presidenciale e tij.

Të njëjtën e bëri edhe kur vendosi që të mos dekretoj vendimin e ri të kryeministrit Edi Rama. Pohoi se i duhet kohë për të bërë të gjitha verifikimet e duhura për Gent Cakajn, ministrin e ri për Punë të Jashtme dhe Çështje të Evropës.

Por, shtrohet pyetja se si e verifikon Ilir Meta një person?

Çfarë shkollimi apo të kaluare duhet të ketë njeriu për të dalë i pastër në sitën e Metës?

Në fakt, Meta shquhet si njeri që verifikon miqtë dhe partnerët politik. Por, notat maksimale i’u jep atyre që janë të korruptuar.

Besoj që Cakaj do të vlerësohet me pikë negative.

Paradoksalisht, Cakaj u kritikua edhe për moshë të re, ndonëse përafërsisht 28 vjet patën edhe Lulzim Basha dhe Pandeli Majko, kur u emëruan në poste të larta publike. Basha në atë ministrit të Jashtëm, ndërsa Majko në postin e kryeministrit. Dikush e kritikoi edhe për diçka që është tejet banale: Tregoi se është kosovar dhe se ky fakt e përjashton nga posti i kryediplomatit. Kjo ishte neveritëse.

Por, Meta nuk e ka hallin te problemet e lartëpërmendura. Më shumë e ka hallin te fakti që nuk është përzgjedhur një i korruptuar në krye të Ministrisë së Jashtme. Për të bërë ndonjë pazar milionësh me të.

Meta preferon kosovarët e korruptuar. Ose ata që kanë potencial të madh për t’u korruptuar. Cakaj nuk i ka këto shkathtësi.

Ai nuk krenohet me tenderët e fituar, por me librat e lexuar. Dikush qeshet me za me faktin që Rama e lavdëroi Gentin për faktin që lexon. Por, kjo është më pozitive se sa kur Meta lavdëron të korruptuar që zhvatin tenderë dhe i quan miq të tij.

Këtë e bëri me dy njerëz në Kosovë, gjatë vizitës së tij joformale. Cakërroi gotat në takime të ndara me Adem Grabovcin dhe Sami Lushtakun.

Grabovci akuzohet se ka udhëhequr një grup politik që punësonte militant partiak të PDK-së, nëpër poste kyçe publike. Ndërkaq, Lushtaku akuzohet se ka kërcënuar një drejtor të një ndërmarrje publike, duke e detyruar që ta shpallte fitues në një tender 3 milionësh kompaninë e familjes së tij, “Security Code”.

Është jashtëzakonisht normale që Meta i vlerëson pozitivisht këta njerëz. Në filtrin e verifikimeve të tij, Lushtaku e Grabovci dalin të pastër dhe vlerësohen me pikë pozitive.

Kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë: Meta është i tillë. I korruptuar. Është paradoksale se si posti i kryediplomatit të Shqipërisë mbetet peng i verifikimit të Ilir Metës së korruptuar.

Nga çka frikësohet Meta?

Bazuar në deklarimet e tij, ai po frikësohet se do të cenohet posti i kryediplomatit nga një i papërgegjshëm. Por, në fakt askush më shumë se sa vetë Meta nuk e dëmtuar postin e kryediplomatit.

Kur Meta ishte zëvëndës kryeministër i Shqipërisë dhe ministër i Punëve të Jashtme  kishte abuzuar me të dy postet. Atë të kryediplomatit e kishte zhvlerësuar. Ishte përfshirë në së paku dy afera të mëdha korruptive. Gjithë shqiptarët janë të njoftuar me aferën e famshme të ryshfetit me ish-ministrin Dritan Prifti. Aty shihej Meta duke kërkuar shifra milionëshe të ryshfetit.

Po ashtu, emri i tij u përmend edhe një gjykim arbitrazhi kundër shtetit shqiptar.

Bazuar në raportimin e mediumit investigativ, Reporter. al, Ilir Meta akuzohet se ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani e mbledhjes së borxhit, e cila e ka paditur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë.

Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj, një mik i Ilir Metës, ishte i arrestuar më parë nën akuzat për pastrim parash dhe mashtrim. A ishte  i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ, në bashkëpunim me ish kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek.

Këto përfshirje në afera të mëdha ryshfeti japin përgjigjen se nga i mori paratë Meta për të ndërtuar vilën luksoze në Gjirin e Lalzit. Për të njoftuar të gjithë se është i pangopshëm me luksin, vila e Metës ka 11 ËC, palma dhe 2 mijë metra katror oborr.

Duket se ai synon të rrisë edhe më shumë pasurinë e tij. Meta tenton të shfrytëzojë Gent Cakajn për ta bërë një pazar të ri me Ramën. Para kesh apo emërim të ndonjë njeriu të tij, në poste kyçe shtetërore.

Megjithatë, ne do të jemi dëshmitar se çfarë do të përfitoj Meta gjatë këtyre shtatë ditëve të verifikimit të Cakajt. Ai do të bëjë dekretimin e Cakajt pasi që do të bëjë verifikimet e duhura, një proces që për Metën nënkupton “përfitimet e duhura”.

Por, ky veprim i Metës në të njejtën kohë e ka edhe anën e mirë të medaljes. Do të jetë një mësim për Cakajn.

Është rregull i pashkruar: Kryediplomati i një vendi duhet të jetë i informuar saktë për nivelin e korruptimit të presidentit të vendit, të cilin e përfaqëson në arenën ndërkombtare.