Fatmir Limaj dy herë u lirua nga akuzat për krime lufte, tash lirohet edhe nga akuzat për korrupsion

Fatmir Limaj dy herë u lirua nga akuzat për krime lufte, tash lirohet edhe nga akuzat për korrupsion

Fatmir Limaj është politikani i cili më shpesh ka dalë në bankën e të akuzuarve. Ai disa herë është hetuar nga drejtësia si vendore, edhe ajo ndërkombëtare për krime të dyshuara gjatë luftës, derisa së fundi është hetuar nga drejtësia për rastin e korrupsionit sa ishte ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në kohën e Qeverisë Thaçi 1.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë sot aktgjykimin ndaj ish-ministrit të Transportit, tani zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj, në rastin gjyqësor të njohur si MTPT.

Zëvendëskryeministri Limaj është shpallur i pafajshëm për të gjithat pikat e aktakuzës.

Krahas Limajt, të akuzuar ishin edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka dhe që të gjithë u shpallen të pafajshëm.

Limaj në fjalën e tij përfundimtare të mërkurën ka pohuar se është krenar që pas 2764 ditëve, ajo që e ka thënë është provuar pasi sipas tij nuk është prezantuar asnjë provë që vërteton akuzën e prokurorisë.

Më herët gjatë këtij vitit Gjykata Supreme e kishte vërtetuar pafajësinë e Fatmir Limajt për rastin Kleçka.

Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht ka vërtetuar pafajësinë e Fatmir Limajt dhe të tjerëve të akuzuar në rastin “Kleçka”.

Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e ushtruar nga prokurori i EULEX-it është refuzuar ndërsa aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është vërtetuar.

Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorisë Speciale të datës 25 korrik 2011, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-bashkëluftëtarët e tij akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.

Më 29 nëntor 2013, prokurori i Prokurorisë Speciale kishte parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 17 shtator 2013, përmes të cilit të dhjetë të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm.

Përveç Limajt, pjesë e aktakuzës ishin edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Ky nuk është procesi i vetëm gjyqësor për krime lufte i zhvilluar kundër Fatmir Limajt.

Ndaj ish-komandant “Çelikut” Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte më 28 tetor të vitit 2016.

Ndërsa, Limaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

I arrestuar në shkurt 2003, Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm rreth akuzave për krime lufte në të ashtuquajturin kamp-burg i Llapushnikut në nëntor të vitit 2005. Gjykata e Apelit në Hagë e kishte shpallur po ashtu të pafajshëm në shtator 2007.

Ndërkaq, Limaj, në shkurt të vitit 2003, ishte arrestuar në Slloveni me urdhër të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte.

Tri vjet ballafaqim me Hagën, ishte shpallur i pafajshëm së bashku me Isak Musliun, po ashtu i akuzuar për krime të luftës gjatë viteve 1998/99.

Rreth 10 vjet më vonë, një tjetër aktakuzë iu ngrit Fatmir Limajt. Ish-anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, në korrik të vitit 2013, u akuzua nga EULEX për krime lufte, përfshirë dhënien e urdhrit për vrasjen e dy policëve serbë të zënë rob në fshatin Kleçkë.

E në maj të këtij viti, Gjykata e Lartë e Kosovës ka liroi Fatmir Limajn nga akuzat për krime lufte.

 

Limaj u lind më 4 shkurt 1971 në fshatin Banjë (Malishevë). Është fëmija i dytë i Kadri dhe Mejreme Limajt. U rrit në një familje me kushte mesatare jetese në frymën atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme Bujqësore, Fakultetin Juridik, dhe Magjistraturën i kreu në Prishtinë. Ai jeton në Prishtinë dhe ka katër fëmijë. /Insajderi.com