Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillit Rural, Faton Peci, thotë se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës, me arrestimin e disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie nën dyshimin për mashtrim e ryshfet, është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë, njofton Insajderi.
Kështu është shprehur Peci me anë të një postimi në Facebook, ku tha se ministrisë – e cila është bërë e famshme për shkak të skemave kriminale – do t’i rikthehet reputacioni, besimi dhe imazhi.
“Kjo që ndodhi sot është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi që këtë Ministri që është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale t`ia rikthejmë reputacionin, besimin dhe imazhin që meriton, në mënyrë që ta vejmë ekskluzivisht në dobi të bujqve e fermerëve”, ka shkruar Peci.
Ai ka inkurajuar fermerët dhe bujqit që të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta denoncuar çdo veprim që sipas tij, cenon dhe dëmton djersën e tyre.
“Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit. Duke ndarë subvencione për fermerë e bujq, pa ndërmjetësues e pa keqpërdorues do të mund ta sigurojmë një ambient dhe klimë të favorshme për këtë kategori jetike për shtetin”, ka shkruar ai. /Insajderi.com