Favori i madh që po iu bënë Veseli të korruptuarve të PDK-së

Lideri i PDK-së kishte edhe më herët një ide të vlefshme për të grumbulluar vota për partinë.  Fliste për Vetting të sistemit policor, prokurorial e gjyqësor. Vërejti se kjo ide mund t’i shkaktonte dëme të mëdha partisë. Ideja e re duket më e mirë për partinë. Sjellë vota dhe drejtësia e kontrolluar nga PDK-ja shfajëson në të ardhmen të fuqishmit të partisë. Në këtë situatë, Veseli rritë votat e partisë dhe i ruan miqtë e tij të partisë.

Favori i madh që po iu bënë Veseli të korruptuarve të PDK-së

Edhe ju besoj jeni gjendur shpesh në pozicione të tilla. E kemi provuar secili.

Dikush prej bashkëbiseduesve në tavolinë vendos që të tregojë një histori, në të cilën është kryepersonazh dhe e glorifikon vetën.

I gjendur në këtë pozicion, kureshtja jote nuk ka qenë asnjëherë për të bërë pyetje shtesë lidhur me historinë që po e kallëzon shoku gënjeshtar.

Gjatë tërë rrëfimit të tij, ia ke bërë vetës vetëm një pyetje pa zë. “Pse ky mendon që unë jam kaq trullan dhe e besoj këtë?”.

Kjo pyetje nuk ka përgjigje.

Në një pozicion të tillë u gjenda gjatë mbajtjes së konferencës  së djeshme për shtyp të Kadri Veselit.

E kishte ideuar veten si hero dhe kishte vendosur që ta glorifikojë vetën. Nuk dua t’i bëjë Kadri Veselit pyetje shtese se pse e mori këtë vendim. A po bëhet kjo për shkak se synon që të përfitojë vota në zgjedhjet e shumëpërfolura të parakohshme? Apo mos po e bënë këtë për të eliminuar krahun e Thaçit në parti?

Kam vetëm një pyetje: Pse mendon që jam kaq naiv dhe mund ta besojmë se është një hero që e lufton korrupsionin?

Shkarkimi i Besim Beqajt nga posti i Ministrit të Inovacionit apo i Agim Çekut nga posti i zëvendës ministrit, nuk po më kujtohet se i cilës, është një veprim i vonuar. Është qesharake që të tentohet të mashtrohet opinion në këtë formë, kinse nisi lufta e ashpër kundër korrupsionit.

Kur dikë e shënjestron kjo luftë, atëherë të shënjestruarit i shkaktohet një dëm i madh.

Çfarë dëmi po i shkaktohet Beqaj në këtë rast? Apo Agim Çekut?

Ministri i deritashëm i Inovacionit ka çuditur tërë Pejën dhe Kosovën me inovacionin e tij: Ndërtimin e dhjetëra shtëpive luksoze në këtë qytet.

Secili po çuditet se si ia doli të bënte aq shumë para për të nisur këtë lagje luksoze, të quajtur “Peja Hill”. Ende askush nuk e ka zbuluar se çfarë metoda innovative përdori për ta realizuar këtë. Ata që duhet ta bëjnë këtë janë prokurorët dhe hetuesit policor. Por, të njëjtit nuk guxojnë që të shtrojnë pyetje për “inovacionin”, e Beqajt. Duke nisur nga më i vogli në hierarkinë e sistemit prokurorial e deri te më i madhi zyrtarisht, Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i shtetit.

Për Lumezin e dimë të gjithë. Është në gjendje që t’iu ulërasë vartësve të tij, nëse tentojnë që ta hetojnë Beqajn.

Ky është problemi i madh në Kosovën e ngulfatur nga kriminialiteti e korrupsioni.

Por, çfarë do të ndodhë pas disa muajsh?

Hipotezat janë të shumta. Por, më realja është kjo.

Të larguarit nga Veseli pas disa muajve apo pak viteve do të shpallen të pafajshëm. Këtë e ka pranuar edhe vetë Veseli. Ka pohuar se nëse shpallen të pafajshëm do të rikthehen në pozita meritore brenda partisë.

Veseli do ta shfrytëzojë këtë vendim të tij për të grumbulluar vota për PDK-në në rënie. Ndoshta ka fat dhe njerëzit e besojnë se ai është heroi i luftës kundër korrupsionit.

Beqaj, Çeku dhe të tjerë të kalibrit të tyre nuk i duhen shumë për terren. Fushata e zgjedhjeve të parakohshme të paralajmëruara për këtë vit mund të kryhet edhe pa ta.

Nëse arrinë që të jetë sërish në Qeveri, PDK-ja do të risistemojë të njëjtit në poste kyçe. Deri atëherë qeveritarët e PDK-së do të shpallen të pafajshëm nga sistemi i kalbur gjyqësor i Kosovës.

Në anën tjetër, përveç qeveritarëve të partisë kemi të fuqishmit që janë kryetar dege që duhet dhënë dorëheqje pas vendimit të Veselit. Ata do ta bëjnë këtë. Sami Lushtakut e Qemajl Mustafës nuk i duhen ato pozita edhe disa vite. Ju duhen kur të vjen koha e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Atëherë të njëjtit do të kandidohen nga partia për kryetar të Skenderajt e të Gjilanit. Ata do të jenë të pastruar deri atëherë. Do të shpallen të pafajshëm nga drejtësia e kalbur e Kosovës, e kontrolluar nga PDK-ja e Veselit.

Kjo është forma më e mirë e pastrimit të të korruptuarve të PDK-së. Ky do të jetë skenari i pastrimit të tyre.

Ju kujtohet kur Veseli kishte ndërmarrë një iniciativë tjetër Vetting’u? Atë për pastrim të sistemit policor, gjyqësor e prokurorial. Fliste për orë të shtrenjta e orë luksozë që mbajnë hetuesit policor. E la në gjysmë atë nismë.

Secili është kureshtar se pse nuk i shkoi deri në fund. Dyshimet janë të mëdha. Shihet qartazi se ai Vetting do të dërrmonte partinë e tij. Do të largoheshin hetuesit, prokurorët e gjyqtarët e partisë dhe do të vinin të rinjtë që do të dënonin të fuqishmit e PDK-së.

Me gjasë, Veseli e kuptoi se ajo nuk është ide e mirë parazgjedhore. Sjellë vota, por dërrmon partinë.

Në këtë situatë, ideja më e mirë është Vetting’u i partisë. Sjellë vota dhe pas disa kohëve rikthen në funksione dhe jashtë burgut të fuqishmit e partisë dhe miqtë e Veselit.

Kjo nuk është një hipotezë konspirative. Do të jemi dëshmitar të këtyre ndodhive. Do të raportojmë për secilin veç e veç në të ardhmen. Mediat do të mbushen me titujt e zakonshëm “Shpallet i pafajshëm Beqaj”, “Hedhet poshtë aktakuza ndaj Lushtakut”, etj.