Fazliu për aktakuzën rreth listave të veteranëve: Jemi marrë në pyetje, por nuk di pastaj çka ka ndodhur me lëndën

Fazliu për aktakuzën rreth listave të veteranëve: Jemi marrë në pyetje, por nuk di pastaj çka ka ndodhur me lëndën

Prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, më 11 korrik 2018, e ka ngritur aktakuzën ndaj profilit të lartë të veteranëve, lëndë kjo e cila konsiderohet si një ndër lëndët më voluminoze dhe të ndjeshme, por e cila është duke qëndruar në Prokurori Speciale dhe ende nuk është dërguar në Gjykatë.

Mësohet se listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari.

Faik Fazliu, i cili ka qenë i ngarkuar për çështjen e veteranëve pranë Zyrës së Kryeministrit, shprehet se është marrë në pyetje nga organet e drejtësisë, por nuk e di se në çfarë faze janë duke u zhvilluar hetimet.

“Kemi qenë edhe si dëshmitarë aty disa herë.  Kemi qenë gjithë anëtarët e Komisionit, më shumë nuk mund të deklaroj”, ka deklaruar Fazliu për Insajderin. Ai nuk dëshiron të japë më shumë detaje lidhur me pyetjet që i janë bërë.

“Për diçka konkretisht nuk jam marrë në pyetje asnjëherë. Kjo ka qenë më herët. Fillimisht kam qenë si dëshmitar, por më vonë kam dëgjuar që edhe për shkak të pozitës që kemi pasur si anëtar të Komisionit jemi marrë në pyetje”, ka thënë Fazliu.

Fazliu shprehet se nuk e di çfarë ka ndodhur më pas me lëndën. “Më pas nuk jemi njoftuar nga askuh kurrë hiq. Faktikisht vetëm çka kemi parë prej mediave. Për asnjë rast konkret nuk na ka pyetur asnjëherë askush. Zakonisht na kanë pytur për procedurat sipas pozitës që kemi pasur secili në Komision”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ish-komandati i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja ka refuzuar të deklarohet ldihur me hetimet që janë zhvilluar ndaj tij.

“Kush po thotë që ka ngitur aktakuzë. Spekulime të mediave apo. Nuk dua të deklarohem. S’kam çka deklaroj”, ka thënë Buja kur është pyetur nga Gazeta Insajderi.

Ndryshe, të gjithë këta persona të përfshirë në aktakuzën e padërguar ende në Gjykatë, janë profil i lartë, të cilët edhe në luftë edhe tani kanë mbajtur dhe mbajnë pozita të larta udhëheqëse. Prijësi i aktakuzës Agim Çeku ka qenë ish-Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, ish-Kryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe aktualisht zv/Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pas tij, i akuzuar është Nuredin Lushtaku, i cili është njëri ndër themeluesit e UÇK-së, ish-Komandant i Gardës së Kosovës, ish-zv/Ministër dhe ish-Deputet në Kuvendin e Kosovës, tani Nënkryetar i Komunës së Skënderajt. Pason Sadik Halitjaha, i cili ka qenë ish-komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut dhe anëtari i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit, Invalidit dhe Veteranit të Luftës.

Në aktakuzë është përfshirë tutje Shkumbin Demaliaj, ish-Komandant në Zonën e Dukagjinit, ish-deputet dhe tani deputet në Kuvendin e Kosovës. Pasuesi Qelë Gashi ish-Komandant nga Zona Operative e Llapit. Pas tij vjen Shukri Buja, ish-Komandant në Zonën Operative të Nerodimës si dhe ish-Kryetar i Komunës së Lipjanit dhe ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës. Pas Bujës, është Ahmet Daku, i cili ka qenë ish-Komandant i Zonës Operative të Karadakut. Pas tij, pason Rrustem Berisha ish-Komandant i Brigadës “Agim Ramadani”, ish-Deputet dhe tani Ministër i Forcës së Sigurisë. I përfshiri tjetër në aktakuzë është Faik Fazliu, i cili ka qenë vazhdimisht udhëheqës i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit. Pason Smajl Elezaj ish-Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës  së UÇK-së dhe në fund përmbyllet me Xhavit Jasharin, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.