Fehmi Ferati zotohet t’ia kthejë Mitrovicës “krenarinë e humbur”

Një nga emrat e njohur të emisioneve sarkastike dhe zbavitëse në Kosovë i është futur garës për qytetin të cilin thotë se e ka kapluar një krizë e thellë shpirtërore.

Fehmi Ferati zotohet t’ia kthejë Mitrovicës “krenarinë e humbur”

Fehmi Ferati na vjen zakonisht i buzëqeshur dhe me humor në emisionet televizive në vend. Por, ai tingëllon tejet serioz teksa konfirmon Insajderit kandidaturën për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet e 22 tetorit.

Qyteti i tij, thotë ai, është kapluar nga një krizë e thellë shpirtërore, dhe kjo është një nga nxitjet kryesore që të garojë.

“Po, dje kanë përfunduar zgjedhjet e brendshme. Jam aprovuar si kandidat me përkrahjen e plotë të degës së Vetëvendosjes në Mitrovicë,” thotë Ferati teksa shton se Vetëvendosje ka shfaqur interesim tash e një kohë që të tentojë të fitojë në Mitrovicë përmes tij.

“E kam një masë dëshpëruese sepse këtu e ka kapluar injoranca këtë vend. Nuk ka mbetur vlerë e këtij qyteti që nuk është degraduar. Tragjedia më e madhe është kriza morale, që mitrovicasve u ka humbur krenaria”, thotë ai.

“Ne mund të flasim sa të duash për infrastrukturë, por kriza është morale, shpirtërore ajo që e ka kapluar qytetarin”, ka shtuar ai, duke lënë fajtor pushtetet e kaluara për këtë gjendje.

Ai thotë nuk premton që do të bëjë mrekulli nëse arrin të bëhet i pari i qytetit, por sipas tij, ndryshimet pozitive mund të vijnë nëse ka bashkim të të gjithëve.

“Nuk bëj mrekulli, por vetëm së bashku mund të bëjmë diçka. Por bashkë bëhet vetëm kur qyteti beson. Dhe vota është amanet”, thotë Ferati.

Ai është kritik ndaj mënyrës së si është zhvilluar komunikimi deri më tani mes pushtetit lokal dhe qytetarit të Mitrovicës. “Ka qenë komunikim i vrazhdë” thotë ai, teksa zotohet se do të provokojë riaktivimin e qytetarëve.

“Mendoj se duhet me provoku një vullnetarizëm qytetar këtu. Duhet me provu me riaktivizuar një qytetari aktive ku të gjithë janë pjesëmarrës në çdo proces”, thotë ai.

Në anën tjetër, Insajderi ka kuptuar nga burimet e veta se në Mitrovicë do të garojë edhe Valdete Idrizi, e cila në të kaluarën ka qenë kolege e Feratit tek emisioni Show Messelation.

I pyetur nëse ata do të ofrojnë “show” edhe në fushatën elektorale, Ferati thotë se do të tentojë të bëjë fushatë relaksuese.

“Sepse nuk e kam ndërmend me u marr me të bëmat e pushtetit, ashtu si VV nuk po merret më me akuzat për korrupsion, nepotizëm keqpërdorime. E mira është që VV ofron program dhe do të orientohemi vetëm ka programi. Por nëse e lypin, kam mjaft hapësirë edhe kreativet për këtë punë,” thotë ai.

Por, përveç se ka marrë përkrahje në degën e VV-së në Mitrovicë, dhe sic thotë ai, përkrahjes në qendër, Ferati tregon se ka atij i kanë dhënë përkrahje edhe “eksponentë” të PDK-së në Mitrovicë./Insajderi.com