
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj 13 personave të pandehurve, ndër ta nëntë janë persona zyrtarë – teknikë të pylltarisë dhe roje pylli pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në komunën e Ferizajt.
Siç njofton prokuroria, të pandehurit janë S.M., B.U., H.B., R.U.,B.B., I.H., A.B.,A.A., N.A. H.N, A.K., R.A., dhe I.Q.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat iu vihen në barrë. /Insajderi.com