Ferizaj: Arrestohen 12 persona që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ferizaj: Arrestohen 12 persona që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se janë arrestuar 12 zyrtarë të Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në këtë komunë, pasi dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përcjell Insajderi.

Prokuroria përmes një komunikate për medie bën të ditur se në muajin tetor 2020, nga një sinjalizues i Institucionit të Komunës së Ferizajt, ka pranuar informacione se është duke u kryer vepra penale e “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe “Marrja e ryshfetit” dhe “Dhënia e Ryshfetit” nga zyrtarët e kësaj drejtorie.

“Ndërsa, pas vlerësimit të këtij informacioni, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, së bashku me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike ne Prishtinë dhe Njësinë e Krimeve Ekonomike në Ferizaj, Prokuroria ka konsideruar se duhet te aplikohen masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit.

Pas aplikimit të këtyre masave disa mujore, sot më 15 Prill 2020, janë arrestuar 12 persona të dyshuar, në mesin e  tyre katër (4) teknik të pylltarisë, katër (4) rojtar të pyjeve si dhe katër qytetar (4) nga komuna e Ferizajt, ndaj të cilëve i’u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin për medie.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtëve, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Kompetente në Ferizaj. /Insajderi.com