Gjykata Themelore në Ferizaj, ka caktuar masë paraburgimi për tetë zyrtarë komunalë që u arrestuan të enjten.
Bëhët fjalë për personat me iniciale N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q, njofton Insajderi.
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q, për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 paragrafi 2 të KPRK-së, ndërsa të pandehurit S.M., A.B., A.A., B.B., dhe H.B., dyshohen edhe për kryerjen e veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjykata kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. /Insajderi.com