Ferizaj, krimi dhe pushtetarët

Shkruan Dimal Basha

Ferizaj, krimi dhe pushtetarët

Duke dal nga ndërtesa ndihmova një grua qe po kalonte me një kolic me një fëmijë, si dhe një vajzë të vogël që e kishte për dore. Kjo sepse rruga ishte bllokuar nga kamionët mbipeshë që bartnin dheun dhe baltën e punishtëve nëpër rrugë. Vajza kishte mbuluar fytyrën me dorë dhe nuk arrinte t’i hap sytë nga pluhuri. E pyeta a je mirë? “Po, mirë” tha vajza. E ëma m’u falenderua dhe po më thotë, “s’po kemi çfarë të bëjmë, këtë pluhur, baltë e zhurmë e ha çdo ditë vazja bashkë me 250 fëmijë që shkojnë në atë çerdhe.”

Jam dëshmitarë i kahmotshëm i katrahurës që ndodh nga ndërtimet e egra në qytet, mirëpo nuk e kisha menduar edhe çerdhen. Fillova të pyes njerëz brenda çerdhes, dhe aty punëtoret më tregonin që shumicën e kohës i mbajnë fëmijët të ngujuar dhe nuk i lejojnë të lozin në oborr për shkak të zhurmës, zallit dhe pluhurit që i ngulfat fëmijët. “Jo që nuk i qesim jashtë, por shpeshherë as dritaret nuk i hapim sepse ka shumë pluhur e zhurme që nuk durohet,” ishin fjalët e një nga punëtorëve aty.

Kjo është sfida që ballafqohen për çdo ditë nga 8 orë në ditë 250 fëmijët e çerdhes Engjujt në Ferizaj, duke mos përfshi këtu dhe qindra familje përreth që ju shkatrrohen rrugët dhe ju nënshtrohen pluhurit, zallit, baltës dhe zhurmës në baza ditore. Dhe këtu po flasim për një lagje të vetme të Ferizajt, sepse kjo dukuri haset gjithandej nëpër këtë qytet. Dhe e gjithë kjo ndodh para syve të Policisë dhe pushtetit lokal, të cilët përveq që lejojnë krim urbanistik, po lejojnë edhe një krim shëndetësorë që ju nënshtrohen çdo ditë banorët dhe fëmijët e këtij qyteti. Më shkurt, krimi më i madh është se ky pushtet ka zgjedhur të sakrifioj shëndetin e fëmijëve për të akomoduar biznese të afërta me pushtetin që i ngulfatin qytetarët cdo ditë.

Pas shumë ankesave nga qytetarët kundër gjithë këtij krimi, përveq që pushteti nuk ndërmerr masa dhe shkatërruesit biznismeno-politikanë nuk kërkojnë falje, ata dalin me deklarata duke thënë se puna e tyre është për t’u admiruar dhe kërkojnë që edhe qytetarët të heshtin krimit dhe të i gëzohen bizneseve të tyre të suksesshme. Aq poshtë ka ra niveli i qeverisjes lokal që mbyll sytë para këtij krimi, saqë politikano-biznesmenët që janë pjesë e pushtetit e kanë guximin të deklarohen se milionat e tyre janë më me vlerë se shëndeti i 250 fëmijëve që vijojnë atë çerdhe.

Tani sigurish për të gjithë njerëzit që nuk kanë dijeni për problemin e krimit ndërtimorë ne Ferizaj, ata ka vetëm një pyetje. Pse lejohet dhe kush ka fuqi të prioritizoj interest personale para atyre qytetare?

Dhe përgjigja është e thjeshtë. Në këtë vend vetëm biznismeno-pushtetarët e kanë këtë fuqi. Ferizaji qeveriset nga PDK, dhe aty ka njerëz që bëjnë edhe biznesin edhe politikën, dhe që të dyja për interesa personale. Eshtë sekret publik në Ferizaj që pushteti është i lidhur direkt me ndërtimet e kriminalizuara që ndodhin gjithandej në qytet. Një ndër ta për shembull është edhe Mustafë Grainca, këshilltari i Krytarit të Komunës së Ferizajt, dhe njëkohësisht zv. Ministër i Financave, por edhe milionerë që kryen ndërtime gjithandej nëpër qytet.  Zoti Granica pra përveq që menaxhon miliona, ai gjithashtu është një nga 80 zv. Ministrat e qeverisë Haradinaj. Ky është i njejti që në mbledhjen e qeverisë Kryeministri as nuk e njihte kush është, sepse janë aq shumë saqe jo që vetëm nuk bashkëpunojnë kurrë, por as nuk njihen mes vete. Përveq biznesit milionësh dhe talentit si zv. Ministër, ky supermen gjenë kohë të merr pagë edhe nga Komuna e Ferizajt, ku është në rolin e këshilltarit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt. Pra ka role në të gjitha postet dhe paguhet për të gjitha ato nga taksapaguesit, derisa njëkohësisht ka biznese private milionëshe. Po e lë në gjykimin tuaj të mendoni se sa shpenzon kohë për mirëqenien e qytetarëve dhe sa për milionat e tij.

Mirëpo shumica e dinë që derisa në botën normale njerëzit futen në politikë – normal me një post – për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve, kurse politikanë si z Grainca janë aty nëpër disa poste për të marrë paga si dhe për të përdorur pozitat politike për të avancuar bizneset e tiyre private. Prandaj edhe nuk na befason pasurimi i shpejtë i tyre ku një numër i madh janë bërë milionerë për një kohë të shkurtë. I njejtë është edhe fenomeni i zv. Ministrit, i cili në vitin 2012 në Agjencinë Kundër Korrupcionit z. Grainca ka deklaruar që e gjithë pasuria e tij (shtëpi, truall, veturë, dyer e dritare…) ka arrit jo më shumë se mbi 70 mijë Euro, kurse në vitin 2018 ai deklaron se ka të ardhura prej gati 250 mijë Euro në vit, dhe pasuri të patundshme që kap shifrën e mbi 350 mijë Eurove. Pra zavendës Ministri në fjalë deklaron se brenda 6 viteve ka arritur nga 70 mijë në gati 700 mijë Euro pasuri, që për një moment më kujton vargjet e të ndjerit Ali Asllani, “të pa brekë ju gjeti dreka, milionerë ju zuri darka.”

Zv. Ministri Grainca është një nga ata biznismenë  e pasur që ndërton dhe rrit pasurinë e tij private në shpinën e qytetarëve të Ferizajt, derisa njëkohësisht merr pagë nga taksat e tyre. Ky arrin të kryej ndërtime private duke shkatrruar prona publike, dhe arsyeja e vetme pse arrin ta bëjë këtë është, sepse unë besoj thellë që Mustafë Granica i përngjan një pushtetari të zakonshëm të një Kosove të korruptuar që nuk i nënshtrohet ligjit dhe rregullave sikur qytetarët e rëndomtë.

E them këtë sepse është e dokumentuar shkatrrimi i rrugës nëpër tërë lagjen ku ndërton kompania e tij, mirëpo ai dhe kompania e tij as nuk ka sanuar dëmin, por edhe asnjëherë nuk është ndëshkuar me ndonjë denim për këto shkatrrime. Shkatrrimi i rrugës dënohet me Ligjin e Rrugës, ku parashihet që “shkatrruesi” të gjobitet dhe të kthej rrugën në gjendjen e mëparshme, mirëpo në Ferizaj kompanitë e pushtetarëve si z. Grainca shkatrrojnë rrugë, nuk gjobiten, kurse sanimin e rrugëve që e shkatrrojnë e bëjnë pastaj me para të Komunës. Më shkurt, këta shkatrrojnë kurse qytetarët dhe 250 fëmijët e çerdhes përveq që ju paguajne me maltretime psiqike dhe shëndetësor, ata e paguajnë edhe me qindra mijëra Euro nga taksat e tyre për shkatrrimin e rrugëve që bizneset e z. Grainca i shkaktojnë.  Dhe kjo do të ishte e pamundur sikur të mos ishin vet pushteti, sepse këta nuk gjobiten për krime të mëdha, kurse qytetari i thjeshtë paguan cdo ditë dënime për shkeljet më të vogla.

Unë e kuptoj që zv. Ministri Grainca sot ka pushtet dhe ndjehet të jetë mbi ligjin, mirëpo unë kam vetëm disa sygjerime të vogla. E para, nëse ti ke paguar 176 mijë Euro taksë ndërtimore, vetëm desha të kujtoj se kompania jote është përgjegjëse për shkatrrimin e asfaltit në gjithë Lagjen e Re, që janë mbi 2km e që qytetarit do t’i kushtoj 200 mijë Euro për t’i sanuar. Nëse ti krekosesh se paguan mbi 700 mijë Euro paga punëtorëve për dy vite, qytetarët dhe fëmijët do të paguajne me miliona Euro për sëmundjet e mushkërisë që do të vijnë si pasojë e kompanisë suaj që ka zero konsiderate për kafshën njeri.

Unë e kuptoj që gjithçka e përkthen në vlerë monetare, duke përfshi edhe shëndetin e qytetarëve, mireëpo sa për injorancën tuaj, Organizata Botërore e Shëndetësise dhe Departamenti i Shëndetësisë Amerikane e kanë të qartë që njerëzit që ju nënshtrohen grimcave të pluhurit dhe zallit nga rrugët e ndyta kanë problem të ndryshme shëndetësore, sidomos probleme me alergji, frymëmarrje, duke përfshi këtu astmën dhe problem tjera në mushkëri. Mirëpo meqenëse ne sot nuk kemi një qeveri qendrore – por as lokale – që përkujdeset për qytetarin, sigurisht se bizneset tua janë më me prioritet se shëndeti i qytetarëve dhe të gjithë vlerësohemi në numra e jo njerëz. Kjo është gjendja sot kur njerëz si ti janë mbi ligjin dhe nuk ka drejtësi, mirëpo unë do të kujtoj juve që kjo nuk do të vazhdon gjithmonë, sepse gjithçka e ka një fund, sikur edhe ju që do ta keni.

Si shtetas amerikanë dhe si një ish punonjës i Gjykatës Federale Amerikane, e kam parë me sytë e mi se si funksionon drejtësia dhe e di saktë se ku përfundojnë njerëzi si ju. Unë e di se sot ndiheni të lirë mirëpo kuptone që në momentin që vijnë njerëzit e ndershëm në pushtet, ju keni lënë mjaft gjurmë që nesër do paguani për krimet që po shkaktoni sot. Mësoni prej historisë se drejtësia ndoshta vonon, por nuk harron, dhe në momentin që ajo funksionon, jam i bindur që ti dhe plot tjerë do jepni përgjegjësi për shkatrrimet e pronës publike dhe dëmtimin e shëndetit të fëmijëve që sot po i vritni. Nuk ka biznes as përfitim që del mbi shëndetin dhe mirëqenien e qytetarit, dhe ata që bëjnë këtë kompromis nuk do ta kenë vendin as në biznes dhe as në pushtet, por në burg.