Në sheshin e Komunës së Ferizajt ka nisur grumbullimi i mjeteve për dy të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, njofton Insajderi.
Fondacionin për grumbullimin e mjeteve për këta dy të rinj të cilët janë ende në koma, e ka nisur këngëtari Labinot Tahiri së bashku me familjarët e tyre.
Tahiri nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se grumbullimi i mjeteve ka filluar që nga ora 13:00.
Ndërkaq, Luljeta Gashi, motra e njërit nga të lënduarit, tha se Ministria e Shëndetësisë u kishte premtuar se do t’i dërgojë për shërim në Turqi të gjithë të lënduarit nga ky shpërthim, të cilët janë në gjendje të kome. Por, sipas saj, në momentet e fundit u njoftuan se familjari i tyre ishte hequr nga lista.
“Në rastin e shpërthimit se bombolës se gazit ne Ferizaj ka qenë i pranishëm edhe vëllai im me gruan, babin dhe vajzën por që ata janë në gjendje më të mirë shëndetësore. Qeveria premtoi që do të dërgojë të gjithë të lënduarit në gjendje kome në Turqi, por në momentin e fundit u njoftuam që familjarin tonë Fidan Gashi e kanë hequr nga lista. Tani na duhet të mbledhim fonde që ta dërgojmë atje”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar për trajtim në Turqi katër nga të lënduarit e tjerë si pasojë e këtij shpërthimi. Në këtë shpërthim mbetën të lënduar 44 qytetarë dhe në mesin e tyre edhe disa punëtorë të këtij biznesi./Insajderi.com