‘Fërkime’ në mes ministrave të PDK-së dhe Nismës – Haradinaj: Ata duhen shumë mes vete

‘Fërkime’ në mes ministrave të PDK-së dhe Nismës – Haradinaj: Ata duhen shumë mes vete

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept dokumentin, për rregullimin e fushës nga marrëdhëniet e punës. Por kjo ngjalli debat, në mes ministrave nga PDK dhe ata të Nismës për Kosovën.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skënder Reçica tha se objektivat specifike, që synohen të arrihen përmes këtij dokumenti janë avancimi i të drejtave të punësuarve konform standardeve ndërkombëtare, nëpërmjet avancimit të kornizës ligjore nga marrëdhënia e punës.

 

Krijimi i një ambienti jo diskriminues për mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës,  gjatë muajve të fundit të shtatzënisë dhe muajve të parë të lindjes si dhe krijimi i një ambienti të qëndrueshëm ekonomik për punëdhënësit dhe investitorët e huaj.

 

Por në lidhje me këtë propozim reagoi zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi, i cili foli për problemin buxhetor për këto dy ligje. Ndërsa tha se  kjo kosto nuk është e paraparë me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), për tri  vitet e ardhshme. Por ministri Reçica tha se ky dokument tani për tani është një draft koncept dokument dhe ligji parashihet të vjen në Qeveri për miratim në shtator. Dhe se  kostoja, efekti buxhetor i këtij ligji, do të buron nga janari i vitit 2019.

Ndaj propozimit të Reçicës reagoi dhe ministri i Inovacionit Besim Beqaj. Ai tha se  Ministria e Financave i përcakton kufijtë buxhetor, konform politikave shtetërore që i ka shteti dhe konform prioriteteve që i vendos në programin e vet qeverisës. Madje tha se duhet të jenë të përgjegjshëm, kur bëjnë propozime për ligje.

Por,  ministri Reçica tha se ato nuk janë projekte të tij, por të Qeverisë.

Në këtë debat u përfshi edhe shefi i Reçicës, zëvendëskryeministri Fatmr Limaj. Ai tha se ka kohë të mjaftueshme që Ministritë me u ul e me e tjerrë këtë çështje.

Në lidhje me këto debate në mes të ministrave nga PDK dhe Nisma ka folur edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Në konferencën për media pas mbledhje së Qeverisë, Haradinaj dha një përgjigje interesante kur y pyet për këto fërkime. Ai tha se Nisma dhe PDK,  duhen më shumë se të tjerët mes vete.

“Një shprehje u kanë ‘mos hyn ndërmjet tyre’. Ata duhen më shumë se sa tjerët në Qeveri ndër vete, hiq mos u mërzit”, tha Haradinaj .