Përfaqësuesit e fermerëve të qumështit kanë bllokuar rrugën te rrethi “Dragodan” në Prishtinë.
Kjo po bëhet si shenjë pakënaqësie meqë përfaqësuesit e fermerëve të qumështit nuk u lejuan që të parakalojnë nga rruga “Garibaldi” rreth Katedrales, tek Mensa e Studentëve e në fund për t’u ndalur te Qeveria e Kosovës.
Meqë këta përfaqësues të fermerëve nuk u lejuan që të shkojnë te Qeveria e Kosovës, protestuesit kanë derdhur qumështin aty.
Policia e Kosovës ka thënë se kjo protestë nuk është lejuar të mbahet dhe ka lutur protestuesit që të shpërndahen.
Mirëpo, organizatori i kësaj proteste Ramadan Mema, ka thënë se protestuesit nuk janë thirrur por kanë dalur vetë dhe se nuk ka të drejtë askush t’i pengojë.
Protesta e sotme vie për shkak pakënaqësive dhe injorimit të kërkesave të tyre për largimin e produkteve me vaj palme. /Insajderi.com