Fermerët të pakënaqur me subvencionet, dorëzojnë peticion në ministri

Fermerët të pakënaqur me subvencionet, dorëzojnë peticion në ministri

Një grup i fermerëve të hënën kanë dorëzuar peticion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me kriteret e kësaj të fundit për subvencionimin e grurit, të cilat i kanë quajtur “absurde”.

Me këto kritere të ministrisë, sipas tyre 80 për qind e bujqve nuk fitojnë të drejtën për aplikim dhe kësisoj mbesin pa fituar gjë nga shteti.

Njëri nga organizatorët, Elmi Qupevaj, ka paralajmëruar se nëse ministri i MBPZHR-së, Faton Peci, nuk u kthen përgjigje, atëherë do të dalin në protesta para ministrisë me mjete bujqësore.

“…ministri nuk ishte prezent, kërkesat tona tashmë dihen dhe në rast që nuk na kthehet ndonjë përgjigje jemi të gatshëm për një protestë madhore, me mjete bujqësore”, është shprehur ai.

“Shpresojmë që ministri të na kthej përgjigje pasi 80% e fermerëve po mbesin jashtë listave për subvencionim të mjeteve bujqësore”.

Ministra e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ditë më parë ka hapur periudhën e aplikimit për subvencione për disa kultura dhe aktivitete bujqësore.

Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2021, MBPZHR-ja ka ndarë një buxhet prej 21 milionë eurove dhe afati për aplikim për këtë program përfundon më 28 shtator 2021./Insajderi.com