Festa zyrtare hungareze që zbulon gënjeshtrën e Naser Rugovës

Festa zyrtare hungareze që zbulon gënjeshtrën e Naser Rugovës

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova nuk e ka analizuar mirë deklaratën e tij kur ka thënë se më 1 nëntor ka pasur një termin për vizë në Ambasadën e Hungarisë.

Insajderi ka gjetur se pikërisht në këtë datë, kjo ambasadë nuk ka punuar.

Gazetari i Insajderit i paraqitur si aplikues për vizë ka pyetur në ambasadën e Hungarisë nëse kanë punuar me këtë datë, dhe ambasada e ka konfirmuar se më 1 nëntor ky institucion nuk ka punuar.

Insajderi është duke pritur ende një përgjigje zyrtare nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë.

Por, pikërisht më datën 1 nëntor në Hungari është festë zyrtare. Dhe siç ndodhë zakonisht, festat zyrtare festohen edhe nga misionet diplomatike që gjenden në Kosovë.

Detajet për këtë festë i gjeni edhe në këtë LINK.

1 Nëntori në Hungari festohet si “Dita e Shenjtorëve”, ku familjarët bëjnë pelegrinazh në varrezat e miqve dhe të afërmëve të tyre.

Kjo është një festë e krishterë që festohet në disa vende, e në mesin e tyre edhe në shtetin hungarez.

Ambasada e Hungarisë këtë ditë e ka festuar edhe në Kosovë. Në qytetin e Pejës zyrtarët e kësaj ambasade bashkë me ambasadorin, kanë vënë kurora lulesh para memorialit të ushtarëve austro-hungarezë.

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova në deklaratën e tij për Insajderin ka thënë se më datën 1 nëntor ka pasur një takim të rëndësisë më të lartë.

Por nuk ka dhënë detaje për këtë takim.

“Unë kam pas një takim, e kam kry punën teme dhe nuk kam obligim për takimet dhe formën që e kam pasur. Unë e kam dhanë sqarimin tim publik dhe jemi në rregull.  Unë jam kanë në një takim në lidhje me viza, por edhe me një takim tjetër të një niveli pak më të lartë se vizat. Jemi në rregull, nuk kam obligim me bo publik. Shefi grupit paralmentar ka qenë i informuar dhe jemi në rregull. Ju e keni punën e juve, unë e kam dhënë sqarimin tim publik”, deklaroi Naser Rugova.

Pas raportimit të Insajderit, Rugova ka publikuar një vizë në facebook. Por që data e marrjes së saj është 30 dhjetor.

Kujtojmë se ditën kur nuk u votua rezoluta e LDK-së kundër Thaçit, Naser Rugova kishte thënë se ka pasur termin për vizë.

“Skam marrë fare pjesë në votim se kam pas termin në ambasadë hungareze për vizë sepse kam udhëtim jashtë vendit. E kam pas të caktuar domethënë. I kam njoftuar edhe kolegët e grupit. Unë kam qenë deri 15 minuta para votimit, sepse kam vazhduar me taksi për në ambasadë. S’kam qenë fare i pranishëm në votim” kishte thënë Rugova për Express.

Më datën 1 nëntor të këtij viti, dështoi të votohej rezoluta e LDK-së që do t’ia ndalonte Thaçin diskutimin për kufijtë.

Debat i madh ishte shkaktuar pasi disa deputetë të LDK-së dhe VV-së, nuk kishin marrë pjesë në seancë.

Naser Rugova, Anton Quni, Korab Sejdiu, Fatmire Kollçaku ishin disa nga deputetët që nuk ishin në sallë për të votuar.

Kjo rezolutë nuk u miratua, pasi vetëm 50 deputetë votuan pro. /Insajderi.com