Fetah Rudi: Specialja është e vetmja shpresë për zbardhjen e atentatit ndaj meje

Fetah Rudi: Specialja është e vetmja shpresë për zbardhjen e atentatit ndaj meje

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ka thënë se Gjykata Speciale është e vetmja shpresë për zbardhjen e atentatit ndaj tij, njofton Insajderi.

Në një postim në Facebook, ai është shprehur se atentati ndaj tij është bërë pasi ka qenë “në krahë” me ish-presidentin Ibrahim Rugova.

“Atentati ndaj meje u bë vetëm pse isha gjithmonë në krah me Dr. Rugovën, si para, gjatë dhe pas luftës. Nga unë kërkohej që të hiqja dorë nga LDK-ja e Dr. Rugova. Por, unë nuk zgjodha një gjë të tillë, pasi kjo nënkuptonte që të hiqje dorë nga rruga e shtetndërtimit të Kosovës, synim ky i LDK-së dhe Dr. Rugovës. Ky synim vazhdon edhe sot”, ka shkruar Fetahu.

Atentati ndaj tij ka ndodhur më 15 dhjetor të vitit 2000.

“Tash e 20 vite, drejtësia në Kosovë, përfshirë edhe atë ndërkombëtare, ka dështuar që urdhërdhënësit e atentatit ndaj meje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”.

“Por, pas dy dekadash, nje dritë po shihet në fund të tunelit. Gjykata Speciale është e vetmja shpresë për zbardhjen e atenatit ndaj meje dhe gjitha vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë”, ka shkruar tutje deputeti i LDK-së./Insajderi.com