Fillimi një epoke të re

Fillimi një epoke të re

Klubet dhe federatat duhet të afrohen me bizneset e mëdha, fundja siç ndodhë gjithandej në botë, kurse bizneset duhet të shohin investimin në sport, jo vetëm si marketing të shkëlqyeshëm, por edhe si veprimtari shumë e dobishme shoqërore dhe investim në rini e gjenerata të ardhshme të shëndosha e vitale.

Fundi i një epoke

Këtyre ditëve Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi nënshkroi një rregullore që saktëson kriteret për sponsorizime në kulturë, rini e sport dhe që në fakt e bën të aplikueshëm në tërësi Ligjin për Sponsorizime në Kulturë, Rini dhe Sport. Fillimi i zbatimit të këtij ligji shënon realizimin e një përpjekjeje të të gjithëve që kemi qenë të përfshirë në sport dhe që ka zgjatur 15 vjet, që nga viti 2003. Për gjithë këtë kohë, por edhe më herët, mbase që nga koha e mëvetësimit, sporti ka pasur ngritje, por edhe rënie të mëdha, sallat e stadiumet kanë qenë të mbushura deri në ulësen e fundit, por kanë qenë edhe po thuajse të zbrazëta.

Nëpër të gjitha këto sfida njerëzit që udhëheqin klubet dhe federatat është dashur të kalojnë ashtu si dinë e munden, meqë nuk e kanë pasur përkrahjen e sponsorëve, nuk e kanë pasur përkrahjen e shtetit dhe nuk e kanë pasur përkrahjen e federatave përkatëse ndërkombëtare. Kjo ka qenë një kohë e mbijetesës, me gjithë respektin për sukseset e aty këtushme të sportistëve ose ekipeve të caktuara, me të cilat mburremi shumë.

Fillimi i një epoke të re

Aplikimi i këtij ligji do të shënojë fillimin e një epoke të re në sportin e Kosovës, meqë më në fund, sponsorët do të gëzojnë lehtësi dhe përfitime për mjetet që ia dedikojnë sportit. Kjo do të thotë që industria e sportit në Kosovë, gjegjësisht aktivitetet e gjithmbarshme sportive, potencialisht kanë qasje në rreth 20 milionë Euro, sa llogaritet të jetë shuma që bizneset e paguajnë si tatim, e që me ligjin e ri është e lërueshme nga tatimi nëse me këto mjete sponsorizohet sporti.

Jam i vetëdijshëm që jo të gjitha bizneset dhe jo të gjitha paratë e mundshme do të hyjnë në sport, por jam shumë optimist që me infuzionet financiare që mund ti marrim si rezultat i këtij ligji, të gjithë do të jemi në gjendje të arrijmë suksese të reja. Institucionet shtetërore mund të jenë vonuar me aprovimin dhe jetësimin e një legjislacioni të këtillë, por tashmë që e kemi të aprovuar dhe në fuqi, duhet të bëjmë maksimumin që të përfitojmë nga ai. Mund të pohoj me siguri se tashmë kemi një Qeveri që është shumë e gatshme të ndihmojë sportin, duke e kuptuar këtë fundit si shtyllë e identitetit shtetëror.

Njëkohësisht, me rritjen e numrit të sponsorëve në sport, presim që shteti të “shkarkohet” nga përgjegjësia e financimit të federatave e aktiviteteve sportive dhe të përqendrohet në financimin e infrastrukturës sportive, që është aq shumë e nevojshme. Klubet dhe federatat duhet të afrohen me bizneset e mëdha, fundja siç ndodhë gjithandej në botë, kurse bizneset duhet të shohin investimin në sport, jo vetëm si marketing të shkëlqyeshëm, por edhe si veprimtari shumë e dobishme shoqërore dhe investim në rini e gjenerata të ardhshme të shëndosha e vitale.

 

A jemi gati për miliona?

Në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe jo vetëm, shpesh kemi folur për rrezikun që të miratohet një ligj i favorshëm për sponsorizime dhe të na zë të papërgatitur – të pa aftë për të zbatuar projekte me kosto të mëdha, ose më keq, të pa aftë për të t’ua “marrë” sponsorëve potencialë mjetet që na nevojiten aq shumë. Për të gjithë ne, kjo është sfida e radhës.

Federatat duhet të organizohen në mënyrë profesionale, me staf adekuat dhe profesionistë të fushave të marketingut, menaxhimit të projekteve dhe komunikimit me publikun, tashmë po aq të rëndësishëm sa profesionistët që administrojnë garat ose propozojnë kahet e zhvillimit të sportit përkatës.

Klubet në anën tjetër, duhet të gjejnë mënyra të riorganizimit sportiv dhe juridik, duhet të jenë në gjendje të vendosin një fair play financiar, duhet që krahas rritjes së qarkullimit financiar, ta rrisin edhe disiplinën dhe përgjegjësinë financiare.

Me ndërmarrjen e këtyre hapave do të përfitonin të gjithë, kurse potenciali për suksese është i madh. Rastet e shteteve tjera, të vogla ose të mëdha, që kanë pasur zhvillim të hovshëm të sportit kur aplikuar ligje të ngjashme, më bëjnë optimist se po hyjmë në një periudhë të sukseseve të reja dhe vendosjes së themeleve për zhvillim të qëndrueshëm të sportit.