Fillon hartimi i strategjisë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Fillon hartimi i strategjisë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, mbajti takimin e parë me Grupin Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimit të Terrorizmit.

Ministri, Agim Veliu, në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe luftimit të Terrorizmit, ka mbajtur takimin e parë informues me anëtarët e Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe luftimit të Terrorizmit.

Ky grup është i përbërë nga përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, autoriteteve lokale, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile.

“Ky është një hap i rëndësishëm për të ndërtuar një shtet dhe shoqëri të fortë dhe të qëndrueshme dhe si i tillë është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, theksoi ministri Veliu.

Strategjia do të bazohet në nevojat e identifikuara nga institucionet relevante dhe do të hartohet përmes një procesi konsultativ dhe gjithëpërfshirës.  /Insajderi.com