Fillon iniciativa për shtatore të Joe Bidenit në Ferizaj

Fillon iniciativa për shtatore të Joe Bidenit në Ferizaj

Shoqëria civile dhe disa biznese në Ferizaj kanë nisur iniciativën për ndërtimin e një sheshi dhe të shtatores së presidentit amerikan, Joe Biden, transmeton Insajderi.

Kjo iniciativë është nisur në një hapësirë publike prej rreth një hektari, ndërkaq organizatorët thonë se duan ta bëjnë në shenjë falënderimi për mbështetjen e SHBA-së gjatë luftës në Kosovë.

Ky projekt po planifikohet të realizohet afër lapidarit të djalit të ndjerë të presidentit Joe Biden, Joseph Bau Biden, i cili kishte kontribuuar për disa vjet me radhë në kampin “Bondsteel”.

“Dëshirojmë që kjo leje të na jepet po në këtë muaj. Mbrëmë e kemi pasur një takim me tre arkitekt të specializuar dhe profesional të cilët po e bëjnë në mënyrë vullnetare këtë projekt në këtë pjesë dhe unë besoj se data 25 ne do të dalim me ekspozitë të këtij projekti dhe me lëshimin e kësaj parcele nga komuna e Ferizajt”, ka thënë Faton Haxhisalihu, iniciues i kësaj nisme.

“Ky vend tashmë e ka marrë natyrën e një vendi amerikan dhe dëshirojmë që të vendosim shenja dhe simbole amerikane”, ka shtuar Kenan Gashi nga OJQ “AVONET”.

Iniciativa është përkrahur edhe nga drejtuesit e kampit “Bondsteel” dhe Komunës së Ferizajt.

“Më vjen mirë, po bëjnë diçka për neve si shenjë respekti dhe gjithashtu për neve që jemi prezent këtu, kjo punë është shumë e kënaqshme”, ka deklaruar Casidy Hoëard, rreshter në Kampin Bondsteel.

“Kjo kërkesë është parashtruar në komunën e Ferizajt dhe po shqyrtohet, patjetër se di japim edhe një kahje në bazë të dispozitave ligjore në mënyrë që të mundësohet ndërtimi i këtij kompleksi, parku apo hapësire ku do t’i kushtohet presidentit Biden”, ka thënë Albion Sherifi, zëdhënës i Komunës së Ferizajt. /Insajderi.com