Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 20 korrik dhe do të përfundojë më 7 shtator.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe, qytetarët me të drejtë vote mund të marrin përgjigje në pyetjet: “Ku duhet të votoj” dhe “Si mund ta ndërroj Qendrën e Votimit?”, përcjell Insajderi.
“Në aplikacionin e vendosur në ueb faqen e KQZ-së, votuesit mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit duke shënuar vetëm numrin personal.
Po ashtu, përmes këtij aplikacioni, votuesit mund ta ndërrojnë qendrën e tyre të votimit duke ndjekur hapat që kërkohen. Ndërrimi i Qendrës së Votimit përmes KQZ-së është i mundur vetëm brenda komunës suaj, ku ju jeni votues”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit.
Aplikacioni i KQZ-së për këtë periudhë është i vendosur në ueb faqen e KQZ-së ëëë.kqz-ks.org, në pjesën: Shërbimet e KQZ-së > Lista Votuese > Gjeni qendrën tuaj të votimit, apo në linkun direkt: https://eomp.kqz-ks.org/
“Gjithashtu, ndërrimi i qendrës së votimit është i mundur edhe përmes Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, në komunën tuaj, duke paraqitur kërkesën. Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në këtë linjë ndihmëse pa pagesë: 0800 55 555”.
Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor./Insajderi.com