Fillon takimi në mes të Hotit, Vuçiq, Borell e Lajçak

Fillon takimi në mes të Hotit, Vuçiq, Borell e Lajçak

Pas takimeve dypalëshe që përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Joep Borell e Miroslav Lajçak patën me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tani ka filluar edhe takimi trepalësh, në mes të delegacioneve të Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian, njofton Insajderi.

Delegacioni i Serbisë drejtohet – si prej kohësh – nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ndërsa nga Kosova për herë të parë merr pjesë, Avdullah Hoti.

Dialogu po vazhdon, pas 22 muajve ndërprerje totale.

Ky takim nënkupton zhbllokim dhe lëvizje nga pozicionet e ngurta të dy shteteve, pasi Kosova vendosi që ta heqë taksën – edhe me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Evropian, derisa Serbia është zotuar të mos bëjë fushatë për çnjohje të shtetit të Kosovës tek vendet që tashmë e kanë njohur.

Gjithashtu, Kosova ka hequr dorë, përkohësisht, nga tentimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në fakt ky është takimi i parë fizik mes Vuçiq e Hotit, pasi paraprakisht pati një takim virtual, të ndikuar edhe nga situata me COVID-19.

Borrell para takimit të përbashkët, inkurajoi të dyja palët që të kenë një qasje për bisedimet e sotshme nën një frymë kompromisi dhe pragmatizmi dhe të kenë të ardhmen e BE për popullin e tyre në mendje.

“Më vjen mirë që shoh se BE-ja është kthyer dhe ka marrë në dorë timonin e këtij procesi. Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri i Kosovës janë sot me ne këtu në Bruksel për takimin e parë fizik dhe duke u takuar për të dytën herë brenda javës, dy liderët treguan angazhimin e tyre të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE midis tyre. Sot kam pritshmëri për një dialog konstruktiv për elementin e parë të bisedimeve tona, i cili do të kontribuojë në një normalizim domethënës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.