Fillon transferimi i pacientëve me COVID-19 nga spitali i Mitrovicës në atë të Vushtrrisë

Fillon transferimi i pacientëve me COVID-19 nga spitali i Mitrovicës në atë të Vushtrrisë

Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, nga sot ka filluar të pranojë të gjithë pacientët e prekur me Covid-19 dhe ata të cilët po trajtoheshin në spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i spitalit të Vushtrrisë, Mursel Pllana, i cili tha se për momentin janë duke i pranuar pacientët e prekur me virusin Corona nga spitali i Mitrovicës.

Pllana tutje shtoi se në spitalin e Vushtrrisë janë 10 pacientë të shtruar me COVID-19, ndërsa numrin e saktë edhe të pacientëve që po transferohen nga spitali i Mitrovicës ende nuk e din, pasi pacientët janë duke iu nënshtruar kontrollit të mjekëve.

“Sot ka filluar transferimi i pacientëve prej Mitrovicës, në spitalin tonë. Si dhe kontrollet që janë me pacientë të dyshimtë trajtohen këtu në spitalin tonë. Shërbimi i Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Kirurgjisë kanë shkuar në Mitrovicë. Për momentin kemi pas 10 pacientë, tash është duke u mbushur edhe nga spitali i Mitrovicës. Doktorët janë duke bërë kontrollin e pacientëve dhe ende nuk e di numrin e saktë të pacientëve”, ka thënë ai.

I pari i spitalit të Vushtrrisë më tej ka treguar se të gjithë pacientët që janë të shtruar për momentin në këtë spital, janë me oksigjeno-terapi, të cilët janë kryesisht të moshave të shtyera dhe kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese. /Insajderi.com/