Fillon vaksinimi anti-COVID për personelin shëndetësor në 4 qytete të Kosovës

Fillon vaksinimi anti-COVID për personelin shëndetësor në 4 qytete të Kosovës

Ka filluar vaksinimi anti-COVID për personelin shëndetësor në katër qytete të Kosovës, të mërkurën e 7 prillit, njofton Insajderi.

Aktualisht në dispozicion Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Obiliq i ka 70 vaksina për stafin mjekësorë, ndërkaq në total janë 105 profesionistë shëndetësorë.

Po ashtu, në komunën e Kamenicës ka filluar vaksinimi, të cilin lajm e bëri të ditur në Facebook kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.

Kryetari në vizitën që ia bëri QKMF-së tha se uron që sa më parë të sigurojnë edhe doza tjera të vaksinës anti-COVID, dhe falënderoi stafin shëndetësor për punën dhe ballafaqimin e tyre me pandeminë.

Edhe Komuna e Suharekës, ka nisur vaksinimn kundër COVID-19 për personelin shëndetësor duke qenë e pajisur me 110 dozat e para të vaksinës AstraZeneca.

Vaksinimi ka filluar edhe në QKMF në Kaçanik, ku numri i vaksinave të pranuara është 70 dhe sipas Drejtoreshës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Kaçanik, Diana Bajrami-Reka, ka thënë se janë të mjaftueshme.

Sami Uka, këshilltar politik i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në një prononcim ka thënë se deri të martën mbrëma janë vaksinuar tre mijë e 181 persona.

Si pasojë e rritjes të numrit të infektuarve me Coronavirus, nga e mërkura e 7 prillit kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID, që përfshijnë mbylljen e gastronomisë ku lejohen vetëm shërbime “merr me vete”./Insajderi.com