Fillon vaksinimi në Maqedoninë Veriore, vaksinën e parë e merr një mjeke

Fillon vaksinimi në Maqedoninë Veriore, vaksinën e parë e merr një mjeke

Procesi i vaksinimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka filluar sot, transmeton Insajderi.

Mjekët e Klinikës Infektive në Shkup ishin të parët që u vaksinuan kundër COVID-19, me doza të kompanisë Pfizer, që arritën si donacion nga Serbia.

Ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Venko Filipçe, tha se vaksinat janë të sigurta dhe pa efekte të theksuara anësore.

“Ne do të fillojmë edhe një fushatë për vaksinimin. Është shumë e rëndësishme që qytetarët të jenë të sigurt se vaksinat janë të sigurta, pavarësisht prodhuesit. Të gjitha janë të zhvilluara në platforma të sigurta. Sistemi i vaksinimit po funksionon mirë. Këtu e kemi të vendosur të gjithë infrastrukturën, një pjesë e vaksinave ruhen këtu në spitalin modular”, tha ai.

“Uroj për një imunizim të suksesshëm. Besoj që edhe sasitë e vaksinave të tjera do të vijnë të shpejti në mënyrë që të vazhdojmë me vaksinimin gjatë muajve në vazhdim”, shtoi ministri Filipçe, raporton “Euroneës.al”.

Mjekja Dobrinka Naunovska Jovanovska ishte personi i parë që pranoi vaksinën anti-COVID në Maqedoninë e Veriut. Ajo tha para mediave se gjithçka ka shkuar mirë dhe beson në efektin pozitiv të vaksinës.

“E mora vaksinën dhe ndjehem shumë mirë. Vetë aplikimi është pa dhimbje dhe do ia rekomandoja çdo qytetari të këtij shteti. Kjo është mënyra e vetme e mbrojtjes nga ky infeksion. Tani pasi kam marrë vaksinën, më është caktuar termini që të marr dozën e dytë pas 21 ditësh. Krijimi i antitrupthave mbrojtëse tek secili ndodhë individualisht, por mbrojtja që ofron vaksina është 95 për qind, dhe unë uroj që të bëj pjesë në ato 95 për qind”, tha mjekja. /Insajderi.com