Fillon zhbllokimi i punës së Kuvendit në Maqedoninë e Veriut

Fillon zhbllokimi i punës së Kuvendit në Maqedoninë e Veriut

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka vendosur që të tërheq amendamentet në Ligjin për shtetësi.

Këtë e ka bërë të ditur koordinatori i grupit parlamentar të kësaj partie Nikolla Micevski, në një konferencë për shtyp.

“Ne si deputetë të VMRO-së dhe Koalicionit, të vetëdijshëm për mungesën e dëshirës për zgjidhje të shpejtë, por edhe për momentin kritik në të cilin gjendet Maqedonia e Veriut, qytetarët dhe ekonomia, do të tërheqim të gjitha amendamentet në Ligjin për shtetësi me qëllim që të votohet pakoja e masave për ndihmë të qytetarëve dhe ekonomisë”, ka thënë Micevski, përcjell Insajderi.

Edhe Deputeti i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Elmi Aziri, sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se opozita shqiptare është e gatshme që sot t’i tërheq amendamentet nga Komisioni për Financa dhe Buxhet, për t’i hapur rrugë miratimit të pakos së pestë ekonomike.

“Që nga fillimi i këtij debati ne kemi deklaruar se të gjithë qytetarët duhet të trajtohen njësoj. Edhe kryetarët tanë në takimet me gazetarët që e patëm së fundmi deklaruam se në momentin që tërhiqet bllokada për Ligjin për Shtetësi në Komisionin Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, të njëjtën do ta bëjmë edhe ne për pakon e pestë ekonomike në Komisionin për Financa dhe Buxhet.

Pra, qëndrojmë konform asaj që e kemi deklaruar në kuadër të debatit për Ligjin për Shtetësi. Ne shpresojmë që ajo do të ndodh sot dhe natyrisht edhe veprimi ynë i debllokimit do të ndodh sot”, ka theksuar deputeti Elmi Aziri./Insajderi.com