Finalizohet manuali, dasmat pritet të lejohen deri në ora 23:00

Finalizohet manuali, dasmat pritet të lejohen deri në ora 23:00

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva ka thënë se manuali i propozuar për mbajtjen e dasmave është finalizuar dhe se në të janë përfshirë 95 për qind e kërkesave nga kjo odë, shkruan Insajderi.

Sipas tij, nesër në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës do të votohet për të.

“Në bazë të informative që kam, nesër do të mblidhet qeveria dhe do të votohet ky manual”, tha ndër të tjera Sogojeva për ‘RTV Dukagjin’.

Sogojeva po ashtu ka deklaruar  se rreth 30 për qind e kapaciteteve të brendshme hoteliere do të mund të shfrytëzohen për organizimin e dasmave.

“Mesatarisht rreth 200 dasmorë do të mund të futen në ambientet e brendshme të hotelit”, ka shtuar ai.

I pari i OHT , ka shtuar se orari i mbajtjes së dasmave nuk do të ndryshojë nga ai që është tani.

“Orari nuk do të ndryshojë. Dasmat do të mund të mbahen deri në ora 23:00, mirëpo me kalimin e kohës, besojmë në fillim të korrikut orari mund të shtyhet deri nga ora 1:00”, deklaroi Sogojeva./Insajderi.com