Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, thotë se i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, nuk e ka diskutuar temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ne zyrat e partisë që ajo e përfaqëson dhe kjo ka ndodhur shkaku që kjo parti nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes në vitin 2013.
“E kemi dhënë edhe deklaratën nga Lëvizja Vetëvendosja pas takimit që zhvilluam me z.Lajçak. Është me rëndësi të theksohet se Lajçaku e ka diskutuar çështjen e Asociacionit vetëm me partitë politike me të cilat kanë qenë pjesë e Marrëveshjes në vitin 2013. Në Lëvizjen Vetëvendosje është diskutuar në përgjithësi për procesin zgjedhor brenda Lëvizjes që po ndodh, për alternativën qeverisëse të lëvizjes dhe pesë shtyllat ku edhe jemi duke punuar dhe së shpejti i bëjmë publike, dhe për dialogun në tërësi, si proces. Nuk ka qenë në temë Asociacioni dhe nuk ka pasur temë diskutimi se duhet të ndryshojë Kushtetuta”, tha deputetja Pacolli në Interaktiv të KTV-së, transmeton Insajderi.
“Ne kemi thënë se nuk kemi diskutuar për Asociacionin, nuk jemi pajtuar për një gjë të tillë. Njëjtë ka bërë edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Ndoshta janë pajtuar partitë të cilat janë pjesë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje që është tejet e dëmshme për Kosovën, por nuk ka pasur pajtim në Lëvizjen Vetëvendosje. Ne jemi të vetëdijshëm, edhe z.Lajçak është i vetëdijshëm dhe nuk e ka hapur këtë temë sepse LVV-ja ka qenë e qartë në qëndrimet e veta. E kemi dëshmuar dhe nuk i ndryshojmë qëndrimet”, shtoi Pacolli.
Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi, për të cilën pastaj ai ka thënë se është një marrëveshje e dëmshme për Kosovën./Insajderi.com.