Fituan mbi 420 mijë vota duke premtuar 12 ministri, VV dhe LDK të gatshme për ta tradhtuar elektoratin

Fituan mbi 420 mijë vota duke premtuar 12 ministri, VV dhe LDK të gatshme për ta tradhtuar elektoratin

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i kishin premtuar elektoratit të tyre para tre muajve, se do të qeverisnin vendin me vetëm 12 ministri. Por me ofertën e fundin që i ka bërë VV-ja LDK-së, ata janë shprehur të gatshëm t’i tradhtojnë mbi 420 mijë votues.

Në takimin e parë që kishin pas, pas  zgjedhjeve të 6 tetorit, kandidatët për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kishin dhënë detaje rreth qeverisjes së tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

Në fjalimin e tyre, pas mbledhjes që kishin mbajtur Kurti dhe Osmani që të dy kishin përmendur  se në atë takim ishte diskutuar për reduktimin e ministrive.

“Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimet tona kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive por, do të rritet sa i përket punës së mirë në interes të qytetarëve. Është me rëndësi të presim numërimin e të gjitha votave para se ta arrijmë marrëveshjen finale por ka vullnet të mirë nga të dyja palët që marrëveshja të arrihet”, pati thënë Vjosa Osmani pas këtij takimit me Kurtin.

Ndërsa lideri i VV-së, Albin Kurti para zgjedhjeve pati premtuar se synojnë të kenë një qeveri shumë të vogël me 12 ministri, 2 zv.kryeministra dhe nga 2 zv.ministra për ministri.

“Do të kemi shumë më pak ministri dhe zv.ministra. Do të kemi më shumë angazhim dhe punë. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe të dakordohen për programet tona, besoj që do të na shkojë mbarë e mirë, sepse jemi pajtuar të qeverisim bashkë”, pati thënë Kurti pas takimit me Vjosa Osmanin.

Derisa sot, Osmani ka dal me një deklaratë ku ka shigjetuar ata të cilët po bëjnë përpjekje për të mos u arritur një marrëveshje mes LDK-së dhe VV-së, duke ua përmendur gjysmë milioni qytetar që janë mbrapa dy partive.

Këtë paralajmërim nënkryetarja e LDK-së e ka dhënë edhe për njerëzit brenda Kosovës por edhe për ata jashtë.

“Të gjithë zërat, andej e këndej kufirit, që po bëjnë përpjekjet e tyre të fundit për ta parandaluar ndryshimit e për të rrënuar shpresën le ta dinë qartë se ne që bartim peshën e ndryshimit në Kosovë, i kemi edhe gati gjysmë milion qytetar prapa. Qytetarët e bënë ndryshimin me votën e tyre dhe nuk duhet të lejojmë që askush ta ndalë atë”, ka thënë Osmani.

Gazeta Insajderi në mëngjesin e sotëm ka shkruar për ofertën e re të cilën VV-ja ia ka bërë LDK-së.

Në këtë ofertë të siguruar nga Insajderi, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj LDK-ja do të ketë gjashtë ministri, Lëvizja Vetëvendosje pesë, derisa minoritetet tri ministri.

Oferta nga Kurti tek Mustafa ka shkuar të hënën rreth orës 22:00.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosja kishte dal e para me 221.001 vota ose 26.27 përqind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës kishte dal e dyta me 206.516 vota ose 24.54 përqind. /Insajderi.com