Fjalë prekëse të burrit për gruan që i vdiq nga koronavirusi

Fjalë prekëse të burrit për gruan që i vdiq nga koronavirusi

Një grua shtatzënë nga Gjakova ka ndërruar jetë në mëngjesin e sotëm në Klinikën Infektive të QKUK-së, si pasojë e infektimit me Covid-19.

Viktima e moshës 40-vjeçare kishte pasur probleme neurologjike dhe ishte në javën e 28-të të shtatzënisë.

Lajmin për vdekjen e gruas nga Gjakova e ka konfirmuar edhe Klinika Infektive e QKUK’së.

“Klinika Infektive e QKUK-së njofton se gjatë orëve të para të datës 21.04.2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja V.P. me vendbanim në Gjakovë (1980) e diagnostikuar me Covid-19. E njëjta, ishte shtatzënë dhe po trajtohej në mjekimin intensiv të klinikës që prej datës 15 prill 2020”, thuhet në njoftimin e Infektives.

E ndjera ishte shtatzënë dhe la pas dy fëmijë. Por prekës është mesazhi që burri i të ndjerës e ka postuar në rrjetet sociale kushtuar gruas së tij.

“Aq shumë e deshtë jetën asqë luftove deri në momentin e fundit për jetën tande bashkë me jetën e foshnjës në kraharorin tand. Tani me foshnjën tande në parajsë  gëzoni lumturinë e jetës së amshuar. Ishe një grua, nënë, bijë, motër, nuse shumë e qetë, plotë lumturi, dashuri, kujdes për të tjerët. Tani ju, nanë e foshnje, jeni engjëj në qiell, të cilët luteni për ne e na mbroni. Mos na harro”, janë fjalët e dhimbshme që bashkëshorti i së ndjerës i ka shkruajr në kujtim të gruas së tij.

Kjo është vdekja e 13-të e pacientëve me Covid-19 në këtë klinikë dhe e 16-ta në nivel të shtetit. /Insajderi.com