Fjalimi i Kamberit në Kuvendin serb ku tha se Serbia është shtet autoritar

Fjalimi i Kamberit në Kuvendin serb ku tha se Serbia është shtet autoritar

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, në seancën e djeshme të Parlamentit serb tha se në këtë vend nuk respektohen të drejtat e pakicave dhe se është formuar një shtet autoritar, njofton Insajderi.

Së fundmi janë publikuar edhe video-incizime gjatë fjalimit të tij, që po konsiderohet si historic nga figura të ndryshme politike.

Në kohën kur po formohej Qeveria e re e Serbisë, Kamberi tha se zgjedhjet e mbajtura në qershor kanë prodhuar pushtet totalitar.

Tutje, ai ka thënë se presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq, është vetë shteti, vetë kryeministri e vetë qeveria e parlamenti.

“Një parlament të tillë nuk ka arritur ta krijojë as Millosheviqi. Por, ja që z. Vuçiq dhe z. Daçiq po dëshmohen më efikasë se baballarët e tyre ideopolitik. Ky koalicion i përbërë mes mes të ashtuquajturve E djathta e qendrës dhe E majta e qendrës ka prodhuar pushtetin më totalitar të Serbisë post-socialiste”, ka deklaruar ai përgjatë fjalimit.

Radio Evropa e Lirë e ka mundësuar të titruar në gjuhën shqipe fjalimin e tij, për të cilin dje ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili e kundërshtoi atë duke i thënë se nuk ka të drejt të flas për mos-respektim të pakicave, pasi vetë Kamberi, sa ishte kryetar i Komunës se Bujanocit “ka dëbuar përfaqësuesit e popullatës serbe në Bujanoc”.

“Dikush që dëboi 42% të serbëve nga pushteti në Bujanoc flet për rrezikimin e komuniteteve pakicë. Ata po kërkojnë një pozicion ministror me 0.5 për qind të popullsisë në Serbi ndërsa që 42 për qind serbë në Bujanoc nuk lejohen të marrin pjesë në qeveri. Kaq për totalitarizmin dhe mosrespektimin e të drejtave të pakicave”, tha Vuçiq në një konferencë shtypi në Pallatin e Serbisë.

Vuçiq ka shtuar se është “i lumtur që shqiptarët në Serbi mund të flisnin kaq hapur për këto probleme, para një audiencë milionëshe”.

“A mund ta thotë dikush tjetër këtë në Prishtinë, Tiranë apo diku tjetër?”. /Insajderi.com