Me maskë në fytyrë - Dy dekada më parë

Fjalimi që qiti në dritë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

Fjalimi që qiti në dritë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

Deri me 28 nëntor 1997, kjo ditë shënonte vetëm një datë historike për shqiptarët. Por në mesditën 28 nëntorit të para dy dekadave kjo datë do të hynte në historinë e shqiptarëve, si ditë e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ishte treshja e këtij formacioni, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, ata që më 28 nëntor të 1997-së, në fshatin Llaushë të Skenderajt kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

Përderisa Haradinaj dhe Krasniqi, Selimi kishte dalë me maskë në fytyrë, dalja e tyre shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë së re së Kosovës, raporton Insajderi.

Nga këta të tre, vetëm Selimi dhe Haradinaj e gëzuan lirinë, ndërsa Krasniqi u vra gjatë luftës, duke rënë dëshmorë i UÇK-së.

Fjalimin në emër të ushtarëve të UÇK-së, që deri atë ditë njiheshin vetëm si grupe guerile, e kishte lexuar Rexhep Selimi, sot politikan, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ishte varrimi i mësuesit Halit Gecaj, që kishte mbledhur mijëra qytetarë në fshatin afër Prekazit ku në muajin mars të vitit 1998, do të binte heroikisht familja e Adem Jasharit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jashari kishte lindur gjithashtu me 28 nëntor.

Daut Haradinaj, sot gjithashtu politikan, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ishte krah Selimit.

Ky është fjalimi i plotë u Rexhep Selimit, para qytetarëve të Drenicës, në ditën e varrimit të mësuesit Gecaj, dhe në ditën e shënimit të 28 nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë:

Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë, të afërm të vëllait tonë Halit Gecaj!

Në emër të Ushtrisë për çlirimin e Kosovës u shprehim ngushëllime të sinqerta dhe ju njoftojmë se e ndajmë dhembjen me ju. Populli shqiptar në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka provuar mbi supet e veta shtypjen dhe dhunën më ç’njerëzore nga pushtuesit serbë.

Na u vranë, na u burgosën e na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë të pambrojtur.

Një nga këto veprime të dhunës së territorit serb është edhe vrasja e mësuesit  tonë të nderuar Halit Gecaj nga Llausha si dhe vrasja barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani. Vrasje, dhunë, diskriminime e terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Ai vrau fëmijë, të rinj, mësues nëpër shkolla, bujq nëpër ara. Vrau ç’nuk vrau.

Po një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të popullit tonë për bashkimin tonë kombëtar. Në radhët e kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që jetën ia kushtuan lirisë.

UÇK-ja ka katër vite që u vu në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës. Ka ndërmarrë disa aksione çlirimtare kundër pushtuesve nëpër pikat më të ndjeshme të tij si dhe kundër bashkëpunëtorëve të tij shqipfolëse, kolaboracionistëve. Grushti i drejtësisë, grushti i forcës, grushti i popullit do të bjerë mbi ta. Mbi cilindo që merr guximin të shkelë idealet e shenja të popullit tonë.

Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim, deri në bashkimin tonë kombëtar. Një nga përpjekjet tona kundër armikut ishte edhe beteja e para do ditshme në fshatrat e Drenicës. Aty armiku pati dëme të mëdha materiale dhe në njerëz, prandaj u detyrua të tërhiqej kokulur. Në pamundësi t’ju vihet përballë forcave tona, vrau njerëz të pafajshëm, shtiu mbi shtëpi e shkolla.

Vëllezër, në skenën tonë politike kanë dalë mjaft parti politike e shoqata të cilat flasin gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të popullit. Disa prej tyre mundohen ta degradojnë luftën tonë të shenjtë me qëndrimin e tyre pacifistë. Atyre u themi mjaft! Mjaft se një ditë do t’ju mallkojë historia!

Gjaku i të rënëve le të na bëhet urë që do të na bashkojë të gjithëve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të na bashkojë të gjithëve në luftën për çlirimin e Kosovës se vetëm kështu trojet tona do ta shohin dritën e lirisë.

Lavdi të rënëve për liri!

28 nëntor 1997/Insajderi.com