Nëse vjen në Shqipëri nga Rinasi, gjëja e parë që do shohësh është valëvitja e flamurit kinez në krah të flamurit shqiptar. Kinezët kanë marrë koncesionin e aeroportit, por deputeti demokrat, Tritan Shehu e sheh me shqetësim këtë lajm.
Në një status në Facebook, Shehu flet për një tentativë të zhvendosjes drejt Lindjes të Shqipërisë, por edhe për marrëveshje të mundshme okulte, të cilat siç thotë, ndryshe nga çdo vend europian që krahas flamurit të tyre kombëtar lënë të valëvitet flamuri europian, bëjnë që Shqipëria të dalë nga kjo rrjedhë.
“E patolerueshme kjo për çdo shtet (jo bananesh), pavarësisht koncesioneve ekonomike. Mbasi po detyron të largohen kompanitë perëndimore, mbasi prej 6 vitesh nuk ka investime të tilla, kjo qeverisje po deformon edhe simbolikat në pikat tona strategjike të prezantimit, siç është aeroporti “Nene Tereza”. Ky është një sinjal politik i përsëritur në kundërshtim me interesat e orientimin tone kombëtar drejt Europës dhe Perëndimit, është një arrogancë e provokacion ndaj partnerëve tanë strategjike, ShBA e BE. Shqiptarët nuk duhet ta lejojnë këtë paraqitje skandaloze të Shqipërisë!”
Ekspansioni i Kinës në rajon në fakt po shihet me mjaft shqetësim nga Perëndimi. Kështu theksohej në një shkrim të revistës The Economist. Nën zë thuhet se edhe SHBA janë të shqetësuar.
Dr.Martin Henze, kryetar i Komisionit për Transportin në Këshillin Ekonomik të CDU-së gjermane, pati deklaruar në Tiranë para tre muajsh se Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes.
“Ju duhet të sqaroni ç’do të bëni, do të bëheni pjesë e BE-së apo të ndërmerrni një aleancë strategjike me konkurrentin tonë, Kinën? Është si në martesë, s’mund të kesh dy burra apo dy gra. Natyrisht mund të besh biznes edhe me Kinën, por s’mund të negociosh elementët nevralgjikë të ekonomisë, si portet, aeroportet, energjinë, furnizimin me ujë. Ne në Gjermani bëjmë shumë kujdes që kjo infrastrukturë të mos u jepet kompanive aziatike. Edhe ju në Shqipëri duhet të bëni shumë kujdes”, u shpreh Henze.